Aktualitet

Veliaj para GJKKO! 'Fati' i kryebashkiakut vendoset më 29 shtator

Etleva Deda do të jetë gjyqtarja që do të vendosë mbi dosjen dhe akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij, si dhe personave të tjerë të përfshirë.

F.I
Veliaj para GJKKO! 'Fati' i kryebashkiakut vendoset më 29 shtator
Erion Veliaj

TIRANË-Më 29 shtator do të zhvillohet seanca paraprake në GJKKO për çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë. Etleva Deda do të jetë gjyqtarja që do të vendosë mbi dosjen dhe akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij, si dhe personave të tjerë të përfshirë.

Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

14 biznesmenë akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kurse Fatjon Baci, i cili është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste, akuzohet për 'Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Ndërkohë avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, shprehen se Veliaj i qëndron pafajësisë së tij, duke thënë se SPAK nuk ka asnjë provë, fakt apo dokument kundër tij. Ndërkohë Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për masën e sigurimit pasi kundërshton vendimin e Apelit që e la në qeli./ZËRI 

Poll

MOS HUMB