Aktualitet

Vendi 'i paralizuar' nga moti i keq! Përrenj e lumenj dalin nga shtrati, Jugu nën ujë, përmbyten banesat

Situata më problematike raportohet në jug dhe jug-lindje të vendit.

F.I
Vendi 'i paralizuar' nga moti i keq! Përrenj e lumenj dalin nga
pamje nga situata ne vend

TIRANË-Moti i keq në vend vijon të shkaktojë pasoja të mëdha në Shqipëri për të katërtën ditë radhazi. Situata më problematike raportohet në jug dhe jug-lindje të vendit. Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh në të gjithë qarkun e Korçës, ku disa zona janë përmbytur, rrugë janë bllokuar nga dherat dhe qindra abonentë kanë mbetur pa energji elektrike. Strukturat e bashkive, emergjencave dhe policisë vijojnë ndërhyrjet në terren.

Korçë – Uji ka depërtuar në toka bujqësore dhe disa banesa në Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig e Turan. Në Dërsnik ranë dy shtylla të energjisë, ndërsa në Qatron u dëmtua linja e ujit të pijshëm.

Pogradec – Prurjet e lumenjve kanë shkaktuar përmbytje në Rëmenj e Gështenjas, ndërsa në Dardhas, Proptisht dhe Çërravë ka pasur rrëshqitje dherash. Po punohet në hidrovori Tushemisht.

Maliq – Lumi Dunavec ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa sipërfaqe tokash. Në Sovjan u evakuuan 15 familje gjatë natës, ndërsa ujë ka pasur edhe në Vlocisht.

Pustec – Është ndërhyrë për largimin e ujit nga 4 banesa në Shulin, ku situata mbetet e rrezikshme për katet përdhese.

Devoll – Vijon kërkimi për një 76-vjeçare të humbur në Progër. Niveli i ujit po ulet gradualisht, ndërsa aksi Sinicë–Arzë është hapur.

Kolonjë – Dëmtime në ura dhe rrëshqitje dherash në disa fshatra. Ka përmbytje tokash në Mollas, Psar, Mesickë, Taç Poshtë e zona të tjera. Po punohet me mjetet e bashkisë për hapjen e rrugëve.

Ndërkohë rreth 800 abonentë janë pa energji në zonat Lekas, Marjan, Kurtesh, Lozhan e Gjanç, si pasojë e defekteve në disa fidra. Po ashtu ka rënie gurësh, dherash dhe inertes në akset Korçë–Ersekë, Bilisht–Miras, Maliq–Gramsh, Korçë–Voskopoje dhe Boboshticë–Dardhë. Strukturat po punojnë për pastrimin dhe mbajtjen e qarkullimit të hapur.

Në Njësinë Administrative Mirakë është shembur mbrojtja lumore e Hotel Ballkan, ndërsa në Njësisë Administrative Hotolisht, konkretisht fshati Xhyrë, është dëmtuar këmba e mesit e një ure Bailey dhe si pasojë është ndërprerë qarkullimi.

Në fshatin Rremenj të bashkisë së Pogradecit, 2 banesa janë shembur pjesërisht si pasojë e vërshimit të ujit brenda tyre dhe rrëshqitjes së dherave.

Në bashkinë e Dimalit situata paraqitet alarmante kryesisht në lagjen e Dafinave dhe në fshatrat Çiflik dhe Arëz. Reshjet intensive të shiut kanë nxjerrë nga shtrati lumin Osum, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore.

Situata raportohet problematike edhe për Sarandën, ku strukturat hoteliere dhe baret në katet përdhese kanë raportuar dëme në garazhe, depo dhe në hapësirat teknike si kafazët e ashensorëve, për shkak të përmbytjeve të krijuara nga reshjet intensive. 

Ndërkohë në fshatin Progër vijon puna për kërkimin e 76-vjeçares Flora Hoxha, e cila prej më shumë se 12 orësh është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Dyshimet janë se e moshuara mund të jetë mbytur në përroin e fshatit Progër, ndërsa zona është në kaos pas përmbytjeve masive nga reshjet e dendura të shiut. 

Situata parqitet alarmante edhe në Lezhë, ku qindra hektarë tokë bujëqësore ndodhen nën ujë. Uji gjithashtu ka hyrë në disa banesa duke shkaktuar dëme materiale.

Poll

MOS HUMB