
TIRANË- Vetëvrasja e 27-vjeçares në Kamëz, pas një foto të shpërndarë në rrjetet sociale, ka rikthyer edhe njëherë debatin se kush i kontrollon llogaritë që shkaktojnë presion e terror, në më të shumtën e rasteve te vajzat, e madje çojnë në vetëvrasje. ZËRI ka siguruar foton që është strumbullari i vetëvrasjes së 27-vjeçares në Kamëz, por në respekt të viktimës ka vendosur që të mos e publikojë.
Fotoja në fjalë është bërë në ambientet e një hoteli, ku e reja shihet në prani të Altin Çokut, i cili u vu në pranga. Ky i fundit, në ditën kur e reja vrau veten duke u hedhur nga lartësia e pallatit ku jetonte, e tregonte ngjarjen në një bashkëbisedim me Cllevion në një video live në TikTok. Edhe pse pretendonte se nuk ia kishte shpërndarë ai foton që kishin bërë së bashku në hotel, Çoku nuk mbante asnjëlloj përgjegjësie, kur thoshte në fund të videos se ‘asaj vetë i hëngri b****, nuk më rruhet'.
Pikërisht këtu nis edhe tragjedia e vajzës së re, nënë e një fëmije të mitur, nga një martesë që kishte me një shtetas në Kosovë. Zbardhja e ngjarjes është bërë pas kqyrjes së telefonit të viktimës, e cila sipas rrëfimit të vetë Çokut kishte tentuar dhe dy herë të tjera vetëvrasjen.
39-vjeçari është vënë tashmë nën hetim nga policia, edhe për shantazhimin e një vajze në zonën e Laçit, për të cilën gjithashtu ka pasur foto intime. Por përtej rastit të Çokut, rastet e shkaktimit të vetëvrasjeve janë duke u shtuar çdo ditë. Rrjetet sociale, aq sa kanë shërbyer për të afruar distancat mes njerëzve, janë bërë shpesh shkak për lincimin e grave, dhe më pas vetëflijimet e tyre. Të paktën për raste kaq publike siç ka qenë ky i fundit, institucionet mund të kishin reaguar më herët./ZËRI