
ELBASAN- Zëri.ai ka siguruar pamje nga zjarri që ka nisur prej më shumë se 8 orësh në fabrikën e Kurumit, ish-Metalurgjiku i Elbasanit.
Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga "Zëri.ai", e gjithë zona ka marrë ngjyrë të kuqe prej flakëve që vazhdojnë ende me intensitet maksimal, ndërkohë që shtëllungat e tymit kanë pushtuar të gjithë qytetin. Nga terreni duken pamjet e zjarrfikësve që prej orësh tashëm punojnë për shuarjen e flakëve, por ende nuk ia kanë dalë.
Drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, Emirjon Sota në një prononcim për "Zëri.ai" ka dhënë detaje lidhur me situatën e zjarrit në fabrikën "Kurum", duke shtuar se po punojnë me të gjithë forcat e Zjarrfikëses së Elbasanit, por edhe të qyteteve të tjera që kanë shkuar në ndihmë, për të fikur zjarrin. Megjithatë theksoi se flakët janë ende intensive.
Kurum International është kompani Turke e vendosur në Shqipëri dhe është e specializuar në prodhimin e hekur-çeliqeve. Kompania me bazë në Turqi aktualisht vepron në ambientet e privatizuara të Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve në Elbasan që prej vitit 2009./Zëri.ai