
BRUKSEL- Gjykata e Brukselit ka shtyrë gjyqin ndaj 129 personave, shumica prej të cilëve shqiptarë të akuzuar për trafik droge në procesin e nisur pas zbardhjes së bisedave të grupeve kriminale në platformat Sky ECC dhe Enchrochat. E marta e 6 Nëntorit do të shënonte nisjen e një prej gjyqeve më të mëdha të drogës të zhvilluara në Belgjikë, por kërkesa e avokatëve për përjashtimin e trupit gjykues u bë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj 129 personave, shumcia shqiptarë.
Sipas gazetës Le Soir avokatët e bazuan kërkesën në faktin se të akuzuarit mund të gjykoheshin veç e veç, pasi grupimi it ë gjithëve në një dosje, u cënon mundësinë për tu mbrojtur. Sipas ligjeve belge, gjykimi pezullohet deri në marrjen e një vendimi për trupën gjykuese që do të vendosë fatin e të pandehurve, shumica prej të cilëve banojnë në Bruksel. Në këtë gjyq pritet të gjykohet edhe Abdelwahab G., i cili thuhet se qëndron pas vrasjes së shqiptarit Ardit (Arjan) Spahiu, në Molenbeek në vitin 2020, si dhe një inspektor nga zona e policisë së jugut të Brukselit. Spahiu është kunati i të penduarit të SPAK, Erion Alibej.
Aksioni nisi në 26 tetor 2021, ku FGP e Brukselit arriti të çmontojë një organizatë kriminale që dyshohet se ishte aktive në trafikun e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës. Organizata mendohej se ishte përgjegjëse për marrjen, nxjerrjen dhe ripaketimin e kokainës në laboratorët belg. Droga thuhet se transportohej nga Amerika e Jugut në Evropë në kontejnerë deti dhe avionë privatë dhe eksportohej nga Belgjika në disa vende evropiane. Kriminelët që përdornin emra si ‘Zidane’, ‘Mbappé’, El Chapo dhe Escobar në komunikimet e tyre u ekspozuan dhjetëra herë në të njëjtën kohë. Hetuesit mblodhën prova se shumë ton kokainë nga Amerika e Jugut u sollën në laboratorët në Bruksel nëpërmjet porteve të Antwerp, Roterdam, Le Havre dhe Hamburg, por edhe me avionë privatë.
Shumë nga të dyshuarit që po gjykohen janë shqiptarë. I akuzuari kryesor është shqiptari Eridan Guerrero, 50 vjeç. Por ajo që tërheq më shumë imagjinatën është kumbari algjerian Abdelwahab Guerni, 56 vjeç. Prej vitesh ai konsiderohet si një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës që ka njohur Belgjika. Në vitin 2004, Guerni u kap me 493 kilogramë kokainë në një garazh në Charleroi, një sasi e madhe në atë kohë. Guerni më pas gjatë hetimeve ka rrëfyer se më parë kishte futur në Belgjikë katër ton kokainë. Megjithatë, ai dhe dhjetë të dyshuar të tjerë u liruan në gjykatë në vitin 2006 për shkak të një gabimi procedural. Më vonë ai ishte ende në burg në Itali. Guerni ka qenë njeriu që kishte kontakte të drejtpërdrejta me kartelet kolumbiane, si dhe me klientët italianë që thuhej se ishin pranë “Ndranghetës”.
Në një operacion të madh policor, hetuesit bastisën 114 adresa dhe zbuluan gjashtë laboratorë ku kokaina e importuar në Belgjikë ripaketohej për shpërndarje në të gjithë Evropën. Policia sekuestroi gjithashtu tonelata produkte dhe materiale të dyshuara si të ngopura me kokainë, një duzinë armë zjarri, 57 automjete, 300 metër kub duhan dhe 1 milion euro cash. Gjatë këtij operacioni, hetuesit bastisën 114 adresa dhe zbuluan gjashtë laboratorë ku kokaina e importuar në Belgjikë ripaketohej për shpërndarje në të gjithë Evropën. Disa depo klandestine kimike ishin të lidhura me këto laboratorë.
Akoma nuk është caktuar një datë e re për seancën dhe jesa tjetër e gjyqit do të varet nga vendimi i gjyqtarëve.