
SHQIPËRI- Moti i keq ka mbërthyer sërish vendin këtë të mërkurë, ku në Tiranë lumi Lana rrezikon që të dalë nga shtrati, ndërkohë që shumë rrugë të kryeqytetit janë përmbytur dhe janë të vështira për t’u kaluar nga kalimtarët. Ndërkohë që dhe në Durrës, në afërsi të stadiumit Niko Dovana ka prani të madhe të ujit në rrugë, duke vështirësuar kalimin e mjeteve.
Problematike raportohet të jetë situata dhe në Mirditë, ku rrezikohen të përmbyten disa banesa, si pasojë e fryrjes së përroit të Zmejës. Po ashtu, ka bllokim të rrugës në Shkopet. Ekipe shpëtimi të Mbrojtjes Civile dhe të zjarrfikësve si edhe punonjës të firmës që mirëmban rrugët janë dërguar në vend.
Pamje nga Durrësi:
Pamje nga Tirana:
View this post on Instagram
Moti gjatë ditës së sotme parashikohet me alternime vranësirash të cilat do të pasohen me reshje shiu me intensitet mesatar e lokalisht deri të lartë fillimisht në veriperëndim e më pas lokalisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në jug të vendit.
Reshjet do të jenë të herëpasherëshme dhe do të shtrihen në të gjithë territorin në formën e rrebesheve të shpejta e stuhive më shkarkesa të forta elektrike e breshër. Gjatë orëve të mbrëmjes reshjet do të ulin intensitetin dhe do të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim me shpejtësi mesatare 1-8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetarë era fiton shpejtësi 10-14 m/s shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-3 ballë.
/Zëri.ai