
TIRANË- Pamjet që po shikoni tregojnë aksionin e zhvilluar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të forcave RENEA, në kuadër të operacionit që Prokuroria e Posaçme Kiundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar në të gjithë vendin. Në pamje dallohen efektivët që kanë ushtruar kontrolle në banesat e bosëve të krimit apo edhe në të atyrë që rezultojnë të zhdukur, përmendim këtu, Ervis Martinajn. Në një fraksion të videos shihet dhe një autmjet tip "Range Rover" me ngjyrë të kuqe, që siç duket është sekuestruar, por nuk dihet se kujt i përket. Armë zjarri janë sekuestruar gjithashtu, por ende nuk ka detaje të tjera.
Çfarë ndodhi sot?
43 urdhër-arreste janë lëshuar në total nga prokurori i SPAK, Alfred Shehu dhe vetë kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani pas zbërthimit të aplikacionit Sky Eç. Nëntë prej tyre janë ekzekutuar, ndërkohë që ZËRI ka mësuar emrin e një prej tyre. Bëhet fjalë për biznesmenin Mir Brruli, i afërm i Pëllumb Gjokës, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. ZËRI ka zbardhur dhe disa prej emrave për të cilët është lëshuar urdhërarresti. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Duka, Leonard dhe Erlis Duka, Astrit dhe Altin Avdylaj, Durim e Valter Bami, Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni, Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca, Fatmir Hyseni alias Doqja, Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca, Lulzim Berisha, si dhe Elvis Doçi, i njohur me nofkën ‘Visi i Pojës’.
Ndërkohë tre personave të tjerë që ndodhen aktualisht pas hekurave u është komunikuar masa e arrestit me burg. Bëhet fjalë për Xhevi Ndokën, vëllain e ish-deputetit Arben Ndoka dhe Albert Zajën, i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Kontrolle janë ushtruar në disa qytete, në Tiranë, ku policia është përqëndruar në banesën e vëllezërve Duka, që njihen dhe si rivalë të Ervis Martinajt. Kontrolle janë ushtruar dhe në banesën e vetë Martinajt në Fushë Kuqe, në pronat e bizneset e Elvis Doçit, si dhe në banesat e vëllezërve Bami.
Ky operacion dyshohet se është realizuar pasi është hedhur dritë mbi vrasjen e Bardhok Pllanajt, Brilant Martinajt, Erigers Mihasit, Armando Dumanit dhe Can Karriqit. Gjithashtu, dyshohet se janë zbardhur detaje lidhur me zhdukjen e personave të botës së krimit, ndër të cilët përmendim Ervis Martinajn dhe i riu i dyshuar si i lidhur me të, Ulvi Skana.