
GREQI- Një 17-vjeçar në Spartë ka përjetuar momente tmerri pasi është rrëmbyer nga të afërmit e të dashurës dhe më pas është rrahur për tre orë rresht. Sipas mediave greke, adoleshenti me origjinë shqiptare ishte i lidhur me një vajzë greke, por prindërit e saj nuk e kanë pranuar marrëdhënien e tij për shkak të origjinës së tij.
17-vjeçari ka marrë një telefonatë nga vëllai i vajzës dhe ka shkuar për ta takuar. Aty ai është sulmuar ashpër nga dy persona, të cilët më pas e kanë marrë peng para syve të nënës së tij dhe e kanë futur në bagazhin e një makine. Sipas asaj që tha babai i 17-vjeçarit, në një moment të rrugës nga Areopolis ata ndaluan, e zbritën nga bagazhi, e rrahën sërish dhe më pas e futën në makinë dhe e çuan në shtëpinë e vëllait të vajzës.
Aty filloi një raund i ri torturash si nga vëllai i vajzës ashtu edhe nga prindërit e saj. Nëna e vajzës i ka shkulur flokët dhe e ka dëmtuar në fytyrë. Nga goditjet filloi t'i dilte gjak nga veshi dhe sipas avokatit të tij, i mituri ka humbur dëgjimin në veshin e majtë dhe nuk dihet nëse është dëm i përhershëm.
Tortura e 17-vjeçarit zgjati për të paktën tre orë, e më pas pengmarrësit e lanë në një vend duke lajmëruar edhe të ëmën që të shkonte ta merrte. I mituri shqiptar është dërguar në spital, ku është shtruar prej disa ditësh, ndërsa ndodhet në gjendje të keqe psikologjike. Po sipas mediave greke, babai i vajzës disa vite më parë kishte vrarë nënën e tij në Dyros, por tani është arrestuar së bashku me të birin dhe një person tjetër për pengmarrjen dhe rrahjen e 17-vjeçarit, ndërsa nëna e vajzës është shpallur në kërkim./ZËRI