
TIRANE- Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është duke i kaluar ditët e fundit në SPAK, ku është duke dhënë shpjegimet e tij në lidhje me 3 çështje, përfshirë koncesionin për Sterilizimin, futjen në vend të një sasie barnash të pacertifikuara dhe dosjen më të fundit, atë në bashkëpunim me vartësin e tij Ermal Kurtulaj. Mesa duket orët e gjata në SPAK janë stresuese duke e bërë të kërkojë edhe arratisje të vogla brenda qytetit.
ZËRI e pikasi ish-ministrin brenda qendrës tregtare "ETC" duke shëtitur në ambientet e qendrës. Tërësisht sportiv dhe vetëm, Beqaj duket i pashqetësuar për çështjet në ngarkim të tij, për të cilat tha edhe dje se duhet vërtetë një "hetim i thelluar".
Pamjet e Beqajt:
Por pse akuzohet ish-ministri? Ilir Beqaj është prej 2 vitesh në hetim për koncesionin e sterilizimit ndërkohë që nga fundi i nëntorit, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje" mesditën e çdo të premteje.
Hetimi ka vazhduar me pasurinë e tij duke vijuar me abuzimet e fondeve të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, të cilën Beqaj e drejtoi deri në dhënien e masës në ngarkim të tij. Hetimi për Beqajn ka çuar Prokurorinë e Posaçme në zbulimin e një tjetër skeme, ku ish-ministri bashkë me vartësin e tij, dyshohet se kanë përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian përmes faturimeve fiktive për shpenzime të pakryera që Beqaj i kamuflonte me bizneset e tij dhe të rrethit të bashkëpunëtorëve të tij, ku spikat aktori Ermal Mamaqi, biznesmeni Artan Nito, blogerja Dhurata Thanasi e të tjerë emra të njohur./ZËRI