
TIRANË- Dosja e qytetares që denoncoi tek ZËRI rastin e saj të skandalit me mikrokreditë, vijon të rëndohet. Më datë 2 maj, në fasonerinë ku punon qytetarja me inicialet D.XH., kanë mbërritur tre shkresa. Por këtë herë nga Consulting Company Sh.p.k., dhe jo nga CLO Legal Solution nga të cilët është kontaktuar më herët.
Në shkresë, qytetarja është informuar se ka tre kredi të pambyllura, një me vlerën 541,764.00 lekë, tjetrën me vlerën 17,228.00 lekë dhe të fundit me vlerën 22,049.00 lekë.
Deri më tani, gruaja me inicialet D.Xh., që ka preferuar të mbetet anonime ka qenë në dijeni se ka pasur vetëm një kredi që ka kaluar në studio ligjore, por si u shtuan dy të tjerat? Si u kalua dosja e zonjës pa e vënë atë në dijeni? Këto pyetje mund të merrnin përgjigje vetëm nga shoqëria që cënoi dhe privatësinë zonjës duke i dërguar shkresa dhe në ambientin e punës. Kështu që ZËRI kontaktoi me shoqërinë Consulting Company, por zyra nuk u përgjigj.
Përmbajtja e shkresës:
Shoqëria Consulting Company me anë të kësaj letre, në emër dhe për llogari të institucionit mikrofinanciar, ju informon se:
Rezulton se, ju jeni në vonesë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e huasë dt,2023.09.23, me referencë L*****. Detyrimi juaj total deri më datë 15/04/2024 është në shumën 541,764.00 lekë, duke përfshirë këtu interesin principal dhe kamatëvonesa. Ju informojmë se, nëse ju nuk përmbushni detyrimin tuaj brenda 7 ditësh nga data e marrjes së njoftimit, do të ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshme ligjore për ekzekutimin e detyrueshëm të detyirmit tuaj.
Në bazë të nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile, Kontrata që keni me Kreditorin përbën Titull Ekzekutiv dhe procedura gjyqësore për mbledhjen e detyrimit tuaj do të fillojë menjëherë me lëshimin e Urdhrit të Ekzekutimit nga Gjykata Kompetente. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, të gjitha shpenzimet gjyqësore dhe të ekzekutimiy të detyrueshëm do t'i shtohet detyrimit tuaj. Pagesën për shlyerjen e detyrimit tuaj mund ta kryeni në llogarinë bankare të kredisë pranë institucionit mikrofinanciar.
Ju kërkojmë ndjesë në rast se në momentin e marrjes së këtij njoftimi likuidimi është kryer nga ana juaj. Për çdo pyetje apo paqartësi në lidhje në lidhje me sa më sipër mund të kontaktoni në nr.
Duke shpresuar në përgjigjen dhe impenjimin tuaj! Consulting Company Shp.P.K.
Qytetarja është vetëm një nga qindra qytetarë që presin drejtësi nga SPAK. Tashmë SPAK do të regjistrojë një dosje penale, që siç ZËRI e ka njoftuar dhe paralajmëruar shumë kohë më parë, do të jetë çmontimi i një prej skemave piramidale më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë vetëm me një proces abuziv, por me veprime që i përmbajnë të gjitha elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë MCA, Final, Fondi Besa dhe dhjetra përmbarues. Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja përmes një dokumenti kërkon informacion nga kryetarja e kadastrës Dallëndyshe Bici, mbi veprimet që kanë kryer pranë zyrave të kadastrës 8 përmbarues privatë dhe vetë subjektet kredidhënëse “MCA” dhe “Final”, që u kanë hequr të drejtat e pasurisë qytetarëve të ndryshëm që kishin marrë kredi të vogla që variojnë nga 500 deri në 1 milion lekë të vjetra.
Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, Kredo, Iutecredit apo Fondi Besa, iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI