
GREQI- Avokati i Mikel Selimajt, të arrestuarit për vrasjen e Altin Arapajt është shprehur se dyshja kanë qenë miq. Në një intervistë për “Developments Noë”, Nikos Roussopoulos tha se të dy kishin konsumuar një sasi të madhe kokaine dhe për këtë arsye kanë kërkuar analiza gjaku dhe urine për të vërtetuar konsumin. Arma me të cilën është kryer krimi, sipas tij, i përkiste viktimës.
“Ajo që pretendon klienti im është se, ndërsa po shkonte ta çarmatoste, arma shkrepi, prandaj plumbi shkoi në faqe. Nëse dikush do të vrasë, nuk qëllon kurrë në faqe, por në kokë, lart në kafkë ose në gjoks. Ata u grindën, por klienti im nuk e mban mend se çfarë ndodhi. Ata nuk kishin asnjë mosmarrëveshje për asnjë shtëpi. Është një pronë për të cilën viktima kishte një mosmarrëveshje me një kanadez. Nuk ka të bëjë asgjë me klientin tim,”- tha avokati.
Si ndodhi vrasja në Greqi
Shqiptari Altin Arapaj u qëllua me plumb në kokë nga miku i tij, Mikel Selimaj, 46 vjeç nga Vlora, një person me precedentë penalë për drogë. Dyshja kanë qenë brenda një vreshti në momentin që kanë debatuar me njëri-tjetrin. Dhe në një moment, Selimaj e ka qëlluar Arapajn me plumb në faqe, plumb që i ka përshkuar kokën dhe ka bërë që 41-vjeçari të humbasë jetën. Altin Arapaj rezulton gjithashtu një person me precedentë penalë në Greqi, për vepra të ndryshme penale. Dyshimet janë se dyshja janë përplasur për çështje pazaresh.