
LEZHË- Ka dalë paraditen e sotme përpara Gjykatës së Lezhës portugezi Ruben Saraiva, i cili u ekstradua të dielën nga Maroku. Ai u dërgua për në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa është i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në Shëngjin më 19 Prill 2023.
Saraivës i është komunikuar masa e sigurisë nga Gjykata e Lezhës, e cila i ka caktuar “arrest në burg” në mungesë për akuzat e vrasjes për gjakmarrje dhe armëmbajtje pa leje.
Vetë Saraiva ka mbajtur qëndim mohues sa i takon kryerjes së krimit.
"Nuk kam lidhje me ngjarjen, akuzat i kam mësuar nga mediat. Isha në Shqipëri për pushime. Jam arrestuar në Marok ku isha për punë të tjera. Nuk kam asnjë njohje, as me atë as me ndonjë shqiptar tjetër.", ka deklaruar portugezi.
Ruben Saraiva u arrestua në Marok më 8 Maj për llogari të autoriteteve shqiptare dhe u ekstradua në vendin tonë më 31 Dhjetor 2023.
Për vrasjen e Ardian Nikualjt në Britaninë e Madhe janë arrestuar edhe pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi për në Shqipëri.
Porositës për vrasjen e Nikulajt dyshohet të jetë Edmond Haxhia, i cili prej vitesh jeton në Britaninë e Madhe.
Vrasja e Nikulajt pasoi disa ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot.
Pista kryesore e hetimeve të këtyre ngjarjeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.
Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës, kur portugezi Saraiva, me skafandër në kokë dhe i veshur me jelekë kamuflazhi, hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend./Zëri