
PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të flas rreth rastit të Faton Hajrizit që u vra në Serbi para disa ditësh. Ai tha se me këtë çështje janë duke u marrë dy instuticionet qeveritare, Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. I pyetur nga gazetarët nëse është konfirmuar vrasja e Hajrizit në Serbi, Kurti iu përgjigj se ai nuk mund të bëj edhe punën e ministrit.
“Dy ministri tona, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëj edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, tha Kurti.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës tha se Serbia ka dërguar shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë më Serbi, si i dyshuar për vrasjen e policit në kufi. Sipas njoftimit të MPJD-së, ato shenja janë krahasuar me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit dhe të njëjtat janë përputhur.
Shqiptari Faton Hajrizi, autori i dyshuar i vrasjes së policit në Serbi, u ekzekutua nga forcat e Policisë serbe të premten e kaluar (19 Korrik). Ekzekutimi ndodhi në rrethinën e Lozicës në afërsi të kufirit me Bosnje e Hercegovinën. Hajrizi ndodhej në arrati në Serbi për shkak të dyshimeve se kishte vrarë dhe plagosur një polic.
Sipas zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, Hajrizi nuk i ishte dorëzuar autoriteteve serbe dhe po ashtu kishte qëlluar në drejtim të policisë, këta të fundit kanë reaguar duke e qëlluar Hajrizin për vdekje. /ZËRI