
KOSOVË- Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka reaguar këtë të enjte këtë të enjte në lidhje me sulmin e ndodhur më 24 shtator në veri të Kosovës dhe deklaratën e preisdentit serb Aleksdandër Vuçiç.
Ky i fundit tha se EULEX është ndaluar nga Policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin për kapjen e terroristëve që hapën zjarr mbi forcat e rendit dhe vranë efektivin Afrim Bunjaku.
EULEX në një pronocnim për REL, hedh poshtë këto pretendime dhe shprehet se ata nuk janë ndaluar nga Policia që të marrin pjesë apo të vëzhgojnë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator.
“EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është ndaluar që të marrë pjesë apo të vëzhgojë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator”.
“Pas sulmit të kryer ndaj Policisë së Kosovës dhe më pas intervenimit të Policisë, patrullat mobile të njësisë policore të EULEX-it dhe Njësisë policore rezervë, por edhe pjesëtarë të tjerë të stafit të EULEX-it kanë qenë në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe kanë shkuar në zonën përreth manastirit të Banjskës në veri të Kosovës”, thuhet në komunikim e EULEX me REL.
Eulex thotë se kanë monitoruar nga afër operacionin policor dhe kanë qenë në kontakt të ngushtë me autoritetet e Kosovës.
Si Vuçiç, ashtu edhe Petkoviç, kanë pretenduar se dy serbë janë vrarë pasi janë dorëzuar dhe kanë kërkuar që EULEX-i të përfshihet në hetime dhe që ky mision të ndërmjetësojë lejimin e hetuesve serbë të kryejnë autopsinë e sulmuesve të vrarë.
Ky mision i BE-së nuk tregoi nëse ka pranuar një kërkesë të tillë nga Serbia, por tha se nuk ka “mandat ekzekutiv për të kryer hetime”.
“Misioni ka monitoruar dhe do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e kryera nga autoritetet në Kosovë që lidhen me sulmin, sikurse hetimet, konfiskimet dhe bastisjet. Në përputhje me mandatin që kanë dhe me legjislacionin e Kosovës, përfaqësuesit e EULEX-it ishin të pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, në cilësinë e monitoruesve”, u tha në përgjigjen e EULEX-it.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilën e cilëson si sulm terrorist dhe ka kërkuar të kryhet një hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje. Serbia ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje. Sulmi është dënuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai