
FIER-Policia e Vlorës është angazhuar në lidhje me gjetjen e autorëve të vrasjes së efektivit të forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia në fshatin Baltëz të Fierit. Mësohet se automjeti është braktisur nga autori i cili më paS duket se është larguar me një automjet tjetër. Makina është gjetur e braktisur në një lagje afër fshatit Baltëz në Fier, pra afër vendit të vrasjes.
Ndërkohë, FNSH ka ngritur postblloqe në Vlorë me qëllim kapjen e autorit, i identifikuar si Asllan (Azgan) Mernica. Po ashtu Policia në një njoftim zyrtar ka vendosur në dispozicion shpërblim 30 000 euro për çdo informacion që ndihmon në kapjen e autorit të dyshuar të krimit, 23-vjeçarin Asllan Mernica.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.
Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.
Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.
/ZËRI