
FIER- Nëna e autorit të vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Azgan Mërnica, Ajete Mërnica ka dhënë dëshminë e saj lidhur me atë që ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Baltës të Fierit. Në rrëfimin e saj, e moshuara, e cila ndodhej në të njëjtën makinë me të birin, u shpreh se gjithë përplasja ka nidur për kalimin e mjeteve në rrugën e ngushtë të fshatit dhe më pas degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit.
"U zunë për kalimin e makinave në rrugën e ngushtë të fshatit. Dolën nga makina dhe u zunë. U thashë të dyve mos u zini. Gjatë sherrit, doli djali dhe e qëlloi me pistoletë. Pasi djali e vrau, iku me vrap pa më thënë se ku do shkonte,"-tregoi e moshuara.
Pasi ka qëlluar me plumb në kokë Cenalian, autori është larguar me një makinë ngjyrë blu, të cilën më pas e ka lënë tek shtëpia e dajës dhe është arratisur. Efektivi që mbeti i vrarë kishte rreth një muaj që ishte martuar, ndërsa momentin kur ndodhi ngjarja ishte duke ikur në punë pasi ishte turni i dytë. Deri më tani vrasja dyshohet të ketë ardhur pas një sherri të çastit për kalimin në një rrugë të ngiushtë. Për kontroll nga ajri është duke u përdorur një dron. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla reaguan ashpër për ngjarjen. Ndërkohë për “kokën” e autorit, Policia ka vënë 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion./ZËRI