
TIRANË- Policia ka mësyrë këtë të shtunë në banesën e Sokol Mjacajt në Shkodër. Kjo pasi sipas autoriteteve, pas ngjarjes së rëndë në burgun e Peqinit ku Mjacaj vrau me pistoletë Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, ka folur në telefon me babain e tij Fran Mjacajn. Raportohet se pas kontrolleve në banesën e Sokol Mjacajt nuk është gjetur asgjë e kundraligjshme. Nuk dihet ende se çfarë ka folur Mjacaj me të atin.
Çfarë ndodhi dje?
Ngjarja e rëndë cënoi rëndë sigurinë në burgjet e vendit duke përbërë një skandal të paprecedentë. Sokol Mjacaj e ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marr peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Mjaçaj do të izolohej në regjimin e posaçëm “41 Bis”, por me sa duket kishte dhe një mision për të kryer. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Në tentativë për të iu grabitur makinën Sokol Mjacaj i ekzekutoi të dy. Ngjarje e ndodhur në fshatin Lotaj të Dukagjinit./ZËRI