
ITALI- Gjyqi i Taulant Malajt ka nisur. Shqiptari, i cili tronditi vendin fqinj më 7 maj 2023, duke vrarë vajzën e tij 16-vjeçare Jessica, italianin Massimo De Santis, si dhe plagosi gruan e tij, pasi dyshonte se kjo e fundit po e tradhtonte ka dalë ditën e djeshme para trupës gjykuese. Sipas mediave italiane, Gjykata e Assizes në Foggia hodhi poshtë kërkesën e shqiptarit për gjykim të shkurtuar si dhe zhvlerësoi vlerësimin psikiatrik të Malajt.
Avokati i gruas Tefta Malaj, Roberto de Rossi tha se çështja do të hetohet me themel duke analizuar sjelljen e shqiptarit nga Vlora para dhe pas vrasjes, si dhe do të shqyrtohen pamjet filmike deri në momentin e masakrës.
“Do të jetë një proces i gjatë dhe sigurisht i ndërlikuar. Ne synojmë të evidentojmë sjelljen e të pandehurit para dhe pas vrasjes për aspekte të ndryshme që lidhen me vitet e dënimit. Ne do të vazhdojmë në mënyrë konkrete dhe pragmatike me objektivat tona të qarta, duke vlerësuar herë pas here atë që del nga hetimi paraprak,"- tha avokati Roberto De Rossi, avokat i Tefta Malajt.
Seanca e radhës gjyqësore është parashikuar që të mbahet në muajin maj.
Taulant Malaj vrau të bijën e tij 16-vjeçare, Xhesika Malaj, si dhe një 51-vjeçar me të cilin dyshonte se gruaja e tij kishte lidhje jashtëmartesore, ka rrëfyer më herët se kishte pasur debate në familje, gjithmonë për tradhtinë e pretenduar dhe i kishte kërkuar divorcin bashkëshortes. Ai qëlloi 23 herë me thikë fiqnjin e tij, e më pas u fut në shtëpinë e tij dhe qëlloi gruan e vajzën e tij. Xhesika ndërroi jetë në vend. Pas vrasjes, ai filmoi gjithçka dhe ia dërgoi familjarëve të tij. Nga masakra, shpëtoi gruaja dhe djali i tyre i mitur./ZËRI