
DURRËS- Është zbardhur plagosja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku u paraqit në spital me plagë arme zjarri një 24-vjeçar.
Sipas burimeve nga Policia, Eduart Buçeza është qëlluar nga kushëriri i tij me iniciale I. B., 30 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Gjatë mbrëmjes së djeshme në fshatin Shënavlash të Durrësit, policia kreu një kontroll në oborrin e banesës së 24-vjeçarit, për të zbuluar provat.
Dyshohet se autori e ka plagosur djalin e xhaxhait të tij pas një konflikti për motive të dobëta. I riu Eduart Buçeza ndodhet ende në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë vijojnë kërkimet për gjetjen e autorit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale në vendngjarje, Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmë, në fshatin Shënavlash, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, 24-vjeçari E. B. Si rezultat i veprimeve hetimore, identifikohet autori i dyshuar i plagosjes (kushëriri i 24-vjeçarit).
Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Durrës, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, në oborrin e banesës së 24-vjeçarit, në fshatin Shënavlash, ku në drejtimin e prokurorit, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi I. B., 33 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, djalin e xhaxhait të tij, shtetasin E. B., i cili vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.
Vijon puna për kapjen e shtetasit I. B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI