
SPANJË-Agjentët e Policisë Kombëtare Spanjolle, në një operacion të përbashkët me Gardën Civile, kanë çmontuar një plantacion marijuanë brenda një magazine industriale me gati 1000 bimë në qytetin e La Llosa de Ranes. Në pranga janë vendosur dy shtetas shqiptarë të moshës 18 dhe 50 vjeç, raportojnë mediat spanjolle.
Dy shqiptarët ishin në krye të këtij plantacioni, si përgjegjës për krime kundër shëndetit publik, mashtrime me energjinë elektrike dhe shkelje të ligjit të emigracionit. Kanabisi ishte në fazën përfundimtare të rritjes, ku u sekuestruan 953 bimë marijuanë, si dhe 750 gram sytha dhe materiale të shumta të destinuara për kultivim.
Hetimet filluan në mesin e janarit, pasi mësuan se një magazinë industriale e vendosur në komunën e La Llosa de Ranes mund të përdorej për të strehuar një kulturë marijuane në shtëpi. Si rezultat i hetimeve të para është vënë re një lëvizje e madhe e njerëzve brenda magazinës si dhe është konstatuar hyrje-dalja e mjeteve të ndryshme me qira. Në vijim të hetimeve, autoritetet verifikuan se kishte lidhje të paligjshme me rrjetin elektrik./ZËRI