TIRANË- Situata me zjarret në disa zona të vendit vijon të kërkojë angazhimin e strukturave të emergjencave, ndërsa një pjesë e vatrave janë izoluar dhe po mbahen nën monitorim.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës janë evidentuar 10 vatra zjarri. Prej tyre, 4 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 6 të tjera janë nën mbikëqyrje të forcave në terren.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Një nga vatrat që vijon të jetë aktive është ajo në Prozhem të Pukës, ku zjarri ka përfshirë sipërfaqe pyjore. Në zonë po punojnë efektivë të MZSH-së, Shërbimi Pyjor dhe banorë të zonës.
Puna për izolimin e flakëve vështirësohet nga era, e cila ndikon në përhapjen e zjarrit. Megjithatë, sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat.
Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, ndërsa vatrat e tjera vijojnë të monitorohen nga strukturat e angazhuara në terren.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera po vijojnë ndërhyrjet për izolimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së flakëve në sipërfaqe të tjera.
NJOFTIM:
Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet e djeshme janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Gojan–Gjegjan, Pukë vijon operacioni i përforcuar me 190 forca në terren: 32 efektivë MZSH me 7 mjete zjarrfikëse, 13 punonjës të shërbimit pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA. Në mbështetje janë 1 ekskavator, 1 mjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë të FA-së.
Në Tenë, Mirditë, operacioni vijon me 30 efektivë të FA, mjete zjarrfikëse të FA dhe Bashkisë Mirditë, shërbimin pyjor dhe strukturat vendore. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Në Dukat, Vlorë – vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët. Sot operojnë 77 forca: 10 efektivë MZSH, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 55 efektivë të FA-së. Nuk rrezikohen banesa.
Në Malin e Dajtit, Tiranë, një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht, ndërsa sot vijon ndërhyrja në vatrat e mbetura me 30 efektivë të FA-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Bërshi, Klos , pas vënies nën kontroll, gjatë natës janë riaktivizuar disa vatra për shkak të erës. Në operacionin e deritanishëm janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të FA-së, si dhe mjete zjarrfikëse.
Në Shtuf, Mirditë, vatra mbetet aktive dhe ndërhyrja vijon aty ku e mundëson terreni, ndërsa pjesët e thepisura vështirësojnë përdorimin e mjeteve zjarrfikëse.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI