Aktualitet

Zjarri te 'Arlis', Gjykata liron nga qelia administratorin e pallatit, menaxheren e marketit dhe 2 të tjerë

Katër të dyshuarit u arrestuan pas ngjarjes së rëndë, ku si pasojë e flakëve u dogjën rreth 30 apartamente, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

zh.ll
Zjarri te 'Arlis', Gjykata liron nga qelia administratorin e pallatit,
kompleksi arlis

TIRANË- Gjykata Penale e Tiranës ka liruar nga qelia ditën e sotme 4 personat e arrestuar në lidhje me zjarrin e rënë në pallatin 12-katësh të kompleksit “Arlis”, në zonën “Farmacia nr. 10” në kryeqytet.

Togat e zeza vendosën për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke zëvendësuar arrestin me burg për Razie Sula, menaxhere e marketit që ndodhej në katin e parë të pallatit, Agron Cara, administrator i godinës, Enver Ademi, inxhinier, dhe Altin Furtuna, kontraktor i fasadës.

Katër të dyshuarit u arrestuan pas ngjarjes së rëndë, ku si pasojë e flakëve u dogjën rreth 30 apartamente, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Teksa hetimet vijojnë, është vënë në hetim pronari i kompleksit të pallateve 48-vjeçari Armand Lilo dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit. Po ashtu nën hetim u vunë edhe dy punonjëse të marketit, shtetaset S. A. dhe E. M.

Fillimisht zjarri u dyshua se erdhi nga marketi, që ndodhej në katin e parë të kompleksit. Por, ditën e djeshme sipas kamerave të verifikuara nga policia, rezulton se shkak për zjarrin ishte bërë bërë pakujdesia e disa fëmijëve.

Në video shfaqen pesë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi, aty ky nisën flakët në fillim. Pak më vonë dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të ketë qenë një copë letër. Të miturit e hedhin atë mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen menjëherë nga vendngjarja. Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym.

Edhe Policia në njoftimin zyrtar raportoi se shkaku kryesor i zjarrit kanë qenë mbeturinat e marketit në katin e parë të ndërtesës. Zjarri, më pas përfshiu plotësisht pjesën e jashtme të ndërtesës, duke djegur fasadën me dy shtresa dhe duke dëmtuar edhe strukturën e brendshme në disa pjesë.

Autoritetet po punojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe nëse ka pasur shkelje që çuan në shpërthimin e flakëve. Ndërkohë kompania Arlis me një reagim zyrtar u shpreh se nuk mban asnjë lloj përgjegjësie ligjore, por do të rindërtojë apartamentet e djegura./ZËRI

Poll

MOS HUMB