GREQI- Një nënë dhe djali i saj, 43 dhe 21-vjeç, me origjinë shqiptare, kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë rrugor në Greqi.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes, pranë zonës së Paleokomit, në rajonin e Serres, në aksin rrugor Amfipoli–Drama.
Sipas mediave greke, automjeti me të cilin udhëtonin nënë e bir u përplas ballë për ballë me një kamion. Pamjet e regjistruara nga kamera e kamionit tregojnë momentin fatal, kur makina e drejtuar nga 21-vjeçari humbi kontrollin, kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me kamionin.
Përplasja rezultoi fatale për nënën dhe djalin, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi 57-vjeçar i kamionit u dërgua në spital. Ky i fundit është shprehur për mediat se po lëvizte normalisht në korsinë e tij, ndërsa makina që ka ardhur përballë ka humbur kontrollin duke kaluar në korsinë e kundërt.
"Isha normalisht në korsinë time, me një shpejtësi rreth 75-80 km/h. Papritur pashë një makinë që vinte drejt meje. U përpoqa të shmangesha majtas, por nuk munda. Ajo u përplas me kamionin tim dhe ndodhi tragjedia", tha ai.
Mësohet se viktimat, me origjinë shqiptare, ishin banorë të Paleokomit dhe punonin në një agjenci të pasurive të paluajtshme. Siç raportohet nga mediat greke, ata po udhëtonin drejt vendit të punës në momentin e aksidentit.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik./ZËRI