SERBI-Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan Donald Trump, do të vizitojë sot për herë të dytë brenda dy muajve kryeqytetin serb, Beogradin. Djali i Trump do të zhvillojë një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa në orët e pasdites do të marrë pjesë në një forum biznesi të organizuar nga Oda Ekonomike e Serbisë dhe Klubi i Biznesmenëve.
Vizita e tij në Beograd është pjesë e një turneu në Evropën Lindore, që përfshin gjithashtu Hungarinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Qëllimi kryesor është zgjerimi i lidhjeve të biznesit të familjes Trump në rajon, në kuadër të ngjarjeve me titullin “Trump Business Vision 2025”, raportoi Bloomberg.
Familja Trump ka treguar interes të veçantë për Ballkanin, veçanërisht për investime në Serbi. Kompania investuese Affinity Partners, e themeluar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka në plan ndërtimin e një hoteli luksoz dhe një kompleksi banimi në vendin e ish-Gjeneral Shtabit në Beograd. Projekti do të mbajë emrin “Trump” dhe është në bashkëpunim me Trump Organization.
Mediat ndërkombëtare, si The New York Times, kanë vënë në pikëpyetje motivet e këtyre vizitave, duke sugjeruar se ato mund të kenë edhe një qëllim politik ndihmën ndaj Vuçiç për të forcuar pozitën e tij.
Kujtojmë se kjo është vizita e dytë e Trump Jr në Beograd në një muaj e gjysmë të fundit. Djali i presidentit amerikan ishte në Beograd më 11 mars, kur intervistoi presidentin Vuçiç për podcast-in e tij./ZËRI
