ANKARA- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një konference me kreun e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres deklaroi se vendi i tij nuk do të përfshihet në konfliktin mes Iranit, Israelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Por, Erdogan paralajmëroi se Ankaraja është e përgatitur për çdo kërcënim ndaj sigurisë së saj. Sipas tij, Turqia ka kapur një raketë të tretë balistike iraniane të lëshuar drejt territorit turk. Duke folur për situatën e sigurisë, Erdogan tha se autoritetet turke po marrin masa parandaluese për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
“Po marrim të gjitha masat parandaluese kundër çdo kërcënimi ndaj hapësirës sonë ajrore, siç bëmë edhe mbrëmë”, u shpreh ai.
Erdogan u shpreh se prioriteti kryesor i Ankarasë është të qëndrojë jashtë përshkallëzimit të konfliktit rajonal.
“Prioriteti ynë kryesor është ta mbajmë vendin tonë larg këtij ferri. Largimi i vendit tonë nga kjo vatër zjarri është përparësia jonë më e lartë. Turqia është e gatshme të përballet me çdo lloj kërcënimi të nisur drejt saj”, deklaroi Erdogan.
SHBA-të dhe Izraeli nisën atë që e përshkruan si një sulm parandalues kundër Iranit më 28 shkurt, duke pretenduar se Teherani po zhvillonte një armë bërthamore dhe po paraqiste një kërcënim - një akuzë që Irani e ka mohuar. Në përgjigje, Irani nisi kundërsulme, duke qëlluar raketa dhe dronë drejt Izraelit, si dhe ndaj aseteve amerikane dhe objektivave të tjera në të gjithë Lindjen e Mesme./ZËRI