Bota

E rëndë në Itali, 3 karabinierë vdesin gjatë operacionit, 13 të tjerë të plagosur

Tre karabinierë (Marco Piffari dhe Valerio Daprà, të dy 56 vjeç, dhe Davide Bernardello, 36 vjeç) humbën jetën gjatë shpërthimit, ndërsa ngjarja ka tronditur Italinë

E.K
E rëndë në Itali, 3 karabinierë vdesin gjatë
Pamje nga vendi i ngjarjes

ITALI- Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës, në Castel d’Azzano, pranë qytetit të Veronës në Italinë verilindore, ku tre efektivë të karabinierisë humbën jetën dhe 13 të tjerë, mes tyre karabinierë dhe oficerë policie, mbetën të plagosur si pasojë e një shpërthimi gjatë një operacioni dëbimi.

Sipas autoriteteve italiane, shpërthimi ndodhi në momentin kur forcat e rendit po ekzekutonin një urdhër gjyqësor për dëbimin e dy vëllezërve dhe motrës, në një shtëpi të braktisur dykatëshe, e cila ishte zaptuar nga ta që prej një viti.

Dy prej personave të përfshirë, një vëlla dhe një motër në të 60-at, u ndaluan nga policia, ndërsa njëri prej vëllezërve arriti të largohej nga vendngjarja dhe është ende në kërkim.

Komandanti i karabinierëve të Veronës, Kolonel Claudio Pagano, deklaroi për Sky TG24 se “efektivët u goditën nga një shpërthim i qëllimshëm i një bombole gazi, në një akt absolutisht i çmendur.” Guvernatori i rajonit, Luca Zaia, shtoi se shpërthimi ndodhi në momentin që autoritetet hapën derën, pasi banesa ishte e mbushur me gaz.

Kjo ishte përpjekja e dytë për dëbimin e familjarëve, pasi një vit më parë autoritetet ishin detyruar të tërhiqeshin për shkak të kërcënimeve se do ta hidhnin shtëpinë në erë.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe institucionet italiane. Kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e jetës së tre karabinierëve, të cilët ishin pjesë e forcave të militarizuara që luajnë një rol kyç në ruajtjen e rendit në Itali./ZËRI 

Poll

MOS HUMB