
TURQI-Partia Popullore Republikane (CHP) e Turqisë ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme sot, të dielën, në Ankara, nën hijen e arrestimit të kryetarit të Stambollit dhe kandidatit të kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Ekrem Imamoglu. Kongresi konfirmoi rizgjedhjen e kandidatit të vetëm Ozgur Ozel në kryesinë e partisë zyrtare opozitare.
Ozgur Ozel mori 1171 vota nga gjithsej 1276 delegatë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë u mbajtën zgjedhjet për të 181 anëtarët e Këshillit të partisë.
“Sot Turqia drejtohet nga një juntë që frikësohet nga zgjedhjet, frikësohet nga kundërshtarët e saj, frikësohet nga populli. Erdoğan nuk është një president që ka mbështetje nga populli. Por ai është kthyer në një udhëheqës junte që shënjestron ata që mund ta sfidojnë,” tha Özel në fjalimin e tij.
Ekrem İmamoglu dërgoi një letër në kongres, ku shprehte se “ata që tentuan grushtin e shtetit kundër jetës demokratike dhe vullnetit të popullit e kanë futur vendin tonë në një krizë të thellë legjitimiteti”. Në sallën e kongresit, një vend bosh mbante emrin e kryetarit të burgosur të Bashkisë Ekrem İmamoglu.
Kujtojmë se Këshilli Bashkiak i Stambollit, i cili drejtohet nga opozita, zgjodhi Nuri Aslan si kryebashkiak të përkohshëm për të drejtuar qytetin.
Imamoglut, 54 vjeç, u arrestua derisa CHP-ja po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial të dielën. Partia u ka kërkuar njerëzve jashtë partisë të votojnë për të në kutitë e votimit të vendosura në të gjithë vendin, si shenjë e rezistencës publike. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin prej dy mandatesh, nëse vendos të garojë përsëri./ZËRI