IRAN- Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka lëshuar një apel për qytetarët, duke i kërkuar ata të largohen nga Teherani dhe qytetet kryesore që mund të jenë të rrezikuara nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit. Kjo deklaratë vjen pas informacionit se operacionet ushtarake do të vazhdojnë në këto zona.
View this post on Instagram
"Sipas informacionit të marrë nga këto dy regjime të korruptuara, operacionet e tyre do të vazhdojnë në Teheran dhe disa qytete të tjera. Prandaj, sa më shumë që të jetë e mundur, duke ruajtur qetësinë, udhëtoni në qytete dhe qendra të tjera për të qëndruar të sigurt nga kërcënimet e këtyre dy regjimeve."- thuhet në deklaratë.
Qeveria këmbëngul se: " janë përgatitur të gjitha nevojat e shoqërisë dhe nuk ka asnjë shqetësim për furnizimin me nevojat publike. Njerëzit duhet të shmangin grumbullimet në qendrat tregtare pasi mund të paraqesin rreziqe për ta."
Po ashtu, qeveria ka njoftuar se shkollat dhe universitetet do të mbeten të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm, ndërsa bankat dhe zyrat qeveritare do të punojnë me kapacitet 50%.
Një shqetësim tjetër është edhe nisja e protestave në rrugë në kryeqytetin iranian, pasi sipas mediave ndërkombëtare diaspora e Iranit po bën thirrje për rinisjen e protestave. Protestat në Iran shpesh janë një reagim ndaj represionit politik, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe vështirësive ekonomike, me qytetarët që kërkojnë liri më të mëdha individuale, reforma politike dhe përmirësime sociale. Këto protesta shpesh kanë shpërthyer pas rritjeve të çmimeve, kufizimeve të lirisë së shprehjes dhe politikave të ashpra të qeverisë, duke shkaktuar përballje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. /ZËRI