
GREQI- Santorini po përjeton momente terrori! Më shumë se 200 lëkundje sizmike kanë tronditur ishullin në 48 orët e fundit, duke bërë që të merren masa emergjente. Kjo pasi i druhen një lëkundjeje më të fuqishme që mund të shkaktojë dëme të mëdha në një nga ishujt më të vizituar të Greqisë. Epiqendra e lëkundjeve ka qenë kryesisht në Anhidros, një ishull i pabanuar pranë Santorinit, por lëkundjet janë ndjerë po njësoj edhe në ishullin kryesor. Deri më tani, lëkundja më e madhe ka pasur magnitudë 4.6 ballë të shkallës Rihter.
Kështu, duke qenë se ekspertët i druhen një lëkundjeje më të madhe (edhe pse tërmetet nuk parashikohen), masat janë marrë. Një nga masat e rëndësishme të rekomanduara nga ekspertët është zbrazja e të gjitha pishinave pasi lëvizja e ujit në rast të një tërmeti të fortë mund të shkaktojë dëmtime në struktura dhe të rrisë rrezikun e shembjes. Por jo vetëm kaq!
MASAT
Qytetarët duhet: - të shmangin grumbullimet e mëdha brenda objekteve; të mos i afrohen ndërtesave të braktisura; të shmangin hyrjen në porte; të zgjedhin rrugë të sigurta gjatë lëvizjes brenda strukturës urbane veçanërisht në vendet ku ka pjerrësi dhe ka gjasa të ndodhin rrëshqitje dherash; të evakuohen nga zonat bregdetare në rast rreziku.
Paniku ka bërë që në disa zona sportive ku nuk ka ndërtesa pranë, qytetarët të ngrenë çadra dhe të bëhen gati për çdolloj skenari.
Por disa banorë po planifikojnë të largohen nga Santorini. Siç shihet edhe nga fotot në protothema.gr, disa banorë po nxitojnë drejt agjencive turistike për të siguruar biletat e trageteve për t'u larguar nga ishulli pasi shprehen të frikësuar nga lëkundjet.
Skenari më i keq
Profesori turk i Gjeofizikës, Ovgun Ahmet Ercan, ka mbajtur qëndrim për sekuencat sizmike të ndodhura në Santorini ditët e fundit dhe për frikën që është shprehur për vullkanin në ishull. Në postimin e tij në X ai shkruan: Në shkencën e gjeofizikës, ekzistojnë këto tregues të shpërthimeve vullkanike: 1. Tërmete të cekëta dhe stuhi mikrotërmetesh; 2. Emetimet e gazit; 3. Zhurmat nga toka; 4. "Ënjtja" e tokës. 3 nga këto ndodhi janë regjistruar në Santorini. Megjithatë, mund edhe që të mos ndodhin. Në disa raste, një shpërthim i tillë mund të vonohet për një javë, një vit ose të mos ndodhë kurrë. Shpërthimet vullkanike kanë ndodhur në Santorini në shekullin e 16-të dhe në 1600 para Krishtit.
Por studiuesit vendas nuk e kanë marrë kaq qetë situatën! Sipas studiuesit helen të Kërkimeve Gjeologjike dhe Minierave, Georgios Vougioukalakis, zona është në një krizë sizmike, ndaj dhe ka kërkuar që të ketë masa të shtuara sigurie edhe në ishujt fqinjë Amorgos, Anafi dhe Ios, për të shmangur situatat e panikut dhe për të garantuar mbrojtjen e banorëve./ZËRI