KOSOVË-Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën, ku Enver Bajraktari, i shpallur i zhdukur nga familjarët e tij, u gjet i pajetë dhe i groposur në dy metra në thellësi. Grupi që po kërkonte Enverin arriti ta gjente vendin ku ishte varrosur, duke ndjekur shenjat që tregonin se ai ishte tërhequr zvarrë deri në arën e mbjellë me misër.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin, duke e cilësuar si dyshim për vrasje të rëndë. Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka bërë të ditur se rreth orës 12:00 është gjetur një trup i pajetë i groposur.
“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë kanë nisur veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim. Bazuar në rrethanat fillestare, dyshohet për vrasje të rëndë. Aktualisht hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e viktimës”, tha Ahmeti.
Kushëriri i viktimës, Avni Bajraktari në “Edicionin Special” tha se Enveri i kishte çuar lopën për kullotë në ara, para se të zhdukej. Viktima mësohet se të shtunën kishte shkuar me autobus në Tiranë për të pritur djemtë e tij që kishin ardhur nga Franca dhe Italia.
“Unë si fillim jam kanë në një lokal ku shkojmë çdo mëngjes për kafe, kam taku një kojshi dhe më tha e e gjetët Velin, tha jo Veli s’o. E kam thirr kushëririn tjetër, Besartin, i cili tha se u zhduk prej djeshit. Kanë thirrë dronin policia. Kemi dal krejt teposhtë, rend komplet. Unë isha me një vëlla temin dhe një kojshi tjetër, kur shkum pak si poshtë, në dalje prej kollomoqit, tha diçka paska shku qisajd. Dhe për qatë gjurmë jena shku dhe e gjetëm venin. Nonstop me ne kanë qenë njësite policore”, tha Avni Bajraktari.
Familjarët e tij kanë deklaruar se Enveri nuk kishte probleme apo konflikte me ndonjë person të caktuar. Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë./ZËRI