FRANCË- Festimet në Paris për fitoren e Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve patën një fund tragjik. Gëzimi në rrugët e Parisit u kthye shpejt në kaos me viktima, të plagosur dhe arrestime. Konkretisht 2 të rinj kanë humbur jetën, 192 persona janë plagosur, përfshirë 22 efektivë policie dhe 7 zjarrfikës. Të paktën 559 persona janë arrestuar, kryesisht në Paris, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të rendit.
Një 17-vjeçar u vra me thikë, dhjetëra të tjerë u plagosën, dyqanet u plaçkitën, makinat u dogjën dhe qindra njerëz u arrestuan në përleshjet me policinë. Një 23-vjeçar që po ngiste një skuter në qendër të Parisit u vra gjithashtu pasi u godit nga një automjet.
Situata shqetësuese u raportua edhe në jug të Francës, ku një makinë u përplas me një turmë tifozësh dhe vrau katër këmbësorë, sipas Le Parisien.
Një dyqan këpucësh u vu në shënjestër të sulmuesve që hodhën raketa dhe sende drejt qepenave, të njëjtin fat pësoi edhe një dyqan tjetër, që i përkiste një rrjeti të njohur mobiljesh. Një makinë u dogj, policia u përpoq të përmbante trazirat duke përdorur gaz lotsjellës.





Në Pau, një qytet në Pirenej, rreth pesëdhjetë persona shkatërruan një autobus dhe një vitrinë dyqani. Në Paris, një vajzë mbeti e plagosur në Place de la Bastille pasi u rrëzua mbi barriera metalike përreth kolonës. Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, dënoi dhunën dhe autorët e saj duke i quajtur “barbarë”, duke theksuar se ata po shkatërrojnë gëzimin e tifozëve të vërtetë të PSG-së që festojnë në mënyrë paqësore./ZËRI