
MAQEDONIA E VERIUT-Flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në Maqedoninë e Veriut. Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie për 59 personat të cilët humbën jetën në orët e hershme të mëngjesit të djeshme në Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në një klub nate. Ndërkohë 159 persona të lënduar po marrin ndihmën mjekësore.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët. Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN. Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë ndaluar nga policia.
Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike./ZËRI