Bota

Shtypi telekomandën për vrasjen e Falcones, lirohet "krahu i djathtë" i Totò Riina-s

Brusca vendosi të pendohet pas arrestimit të tij. Dëshmitë që i dha ai drejtësisë, i sollën edhe uljen e kohës së dënimit. Ndaj tani është një njeri i lirë. 

k.m.
Shtypi telekomandën për vrasjen e Falcones, lirohet "krahu i
Giovanni Brusca

ITALI- Krahu i djathtë i Toto Riinës, Giovanni Brusca është sot një njeri i lirë pas 25 vitesh burg. Sipas mediave italiane, bosi i San Giuseppe Iato, i cili aktivizoi telekomandën më 23 maj 1992 në masakrën e Capaci-t, e ka "larë" borxhin e tij ndaj drejtësisë. Brusca vendosi të pendohet pas arrestimit të tij. Dëshmitë që i dha ai drejtësisë, i sollën edhe uljen e kohës së dënimit. Ndaj tani është një njeri i lirë. 

"Lirimi i Giovanni Bruscës na trishton shumë, shumë. Kjo nuk është drejtësi për familjet e viktimave të masakrës së Capaci-t dhe të gjitha viktimave të tjera. E di që ligji është zbatuar, por lirimi i tij e bën të duket sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po, është e vërtetë, ai filloi të bashkëpunonte me drejtësinë por absolutisht nuk duhet të harrojmë se bashkëpunëtorët janë gjithashtu kriminelë. Ata nuk janë bërë njerëz të mirë. Dhe ne, familjet e viktimave, nuk ndihemi të respektuar në këtë mënyrë,"-tha Tina Montinaro, e veja e truprojës së Giovanni Falcone-s, Antonio Montinaro, i cili vdiq në masakrën e Capaci-t së bashku me dy kolegë, bashkë me magjistratin dhe gruan e tij. 

Për zhvillimin më të fundit reagoi edhe e motra e Falcones. 

Maria Falcone: Ndjej dhimbje dhe hidhërim, por është ligji i Giovanni-t. Si qytetare dhe si motër, nuk mund ta fsheh dhimbjen dhe hidhërimin e thellë. Por gjithashtu ndjej detyrën të pohoj me forcë se ky është ligji. Një ligj, ai mbi bashkëpunëtorët e drejtësisë, të kërkuar nga Giovanni dhe të konsideruar të domosdoshëm për të shpërbërë organizatat mafioze nga brenda. 

Kush është Giovanni Brusca?

Giovanni Brusca, i njohur si "kasapi" i San Giuseppe Jato, është një nga personazhet më të përgjakshëm dhe më të diskutuar të epokës së masakrave mafioze në Itali. I lindur në vitin 1957, Brusca ishte protagonisti i një prej krimeve më brutale në historinë e kohëve të fundit. Ai ishte personi që shtypi telekomandën që më 23 maj 1992 që shkaktoi shpërthimin e pjesës së autostradës në Capaci, duke shkaktuar vdekjen e Giovanni Falcones, gruas së tij Francesca Morvillo dhe tre truprojave të tij.

"Krahu i djathtë" i Totò Riina-s, Brusca pranoi se kishte marrë pjesë ose kishte urdhëruar personalisht mbi 150 vrasje, përfshirë rrëmbimin dhe vrasjen e vogëlushit Giuseppe Di Matteo, djalit të një bashkëpunëtori të drejtësisë. Djali u rrëmbye në moshën 13-vjeçare, u mbyt dhe më pas u tret në acid. Rrëmbimi kishte për qëllim që i ati i tij të mos rrëfente më kundër Cosa Nostra-s. 

Pas vitesh në arrati, Brusca u arrestua në vitin 1996. Fillimisht, ai u përpoq të pendohej "në mënyrë të rreme" (pra të mos tregonte detaje të vërteta për ngjarjet), por më pas ai zgjodhi të bashkëpunonte me drejtësinë, duke ofruar detaje mbi qindra vrasje dhe dinamikën e brendshme të Cosa Nostra-s. Bashkëpunimi i tij ishte thelbësor për hetime të shumta.

Tashmë, Brusca do të jetojë larg Siçilisë me një identitet të rremë./ZËRI

Poll

MOS HUMB