Bota

“Jo më hotel për ta", ministri grek iu mbyll derën emigrantëve, parlamenti miraton ligjin e ri

Ai akuzoi autoritetet libiane se po lejojnë përdorimin e anijeve të mëdha, që transportojnë deri në 300 persona njëherësh, drejt brigjeve greke.

f.g
“Jo më hotel për ta", ministri grek iu mbyll derën
Thanos Plevris

ATHINE- Ministri i ri grek i Emigracionit, Thanos Plevris, ka dhënë sinjale të qarta për një kthesë të fortë në politikën emigratore të vendit. Në një intervistë për gazetën britanike Daily Mail, ai paralajmëroi se Greqia nuk do të tolerojë më hyrjet e paligjshme dhe se kushdo që mbërrin ilegalisht nga Afrika e Veriut do të përballet me masa të ashpra.

“Mos vini. Nëse hyni ilegalisht në Greqi, prisni pesë vite burg ose kthim të menjëhershëm në vendin tuaj,” – deklaroi Plevris.

Sipas tij, shumica dërrmuese e emigrantëve që mbërrijnë me anije në Greqi janë burra të rinj, të moshës 18–30 vjeç, dhe vijnë nga vende të konsideruara të sigurta si Egjipti, Pakistani dhe Bangladeshi. Ai theksoi se është koha të vihet një kufi i prerë mes atyre që ikin nga lufta dhe atyre që kërkojnë një jetë më të mirë ekonomikisht.

“Ka marrë fund përralla se të gjithë emigrantët janë gra e fëmijë. Shumica janë burra të rinj që po përdorin Greqinë për të hyrë ilegalisht në Evropë. Ne nuk jemi më një hotel,” – shtoi ai.

Plevris vuri në dukje se Libia është kthyer në pikën kryesore të nisjes për valët migratore, duke theksuar se mbi 3 milionë migrantë janë aktualisht në territorin libian, në pritje për të kaluar detin. Ai akuzoi autoritetet libiane se po lejojnë përdorimin e anijeve të mëdha, që transportojnë deri në 300 persona njëherësh, drejt brigjeve greke.

Në përgjigje të kësaj situate, Parlamenti grek ka miratuar një ligj të ri që pezullon përkohësisht, për një periudhë prej të paktën tre muajsh, shqyrtimin e kërkesave për azil nga personat që hyjnë ilegalisht nga Afrika e Veriut. Vendimi është justifikuar si një masë emergjente përballë një “krize të jashtëzakonshme migratore”, dhe ka marrë mbështetje zyrtare nga Bashkimi Evropian.

Ligji parashikon që shumica e të ardhurve do të përballen me dy alternativa: pesë vjet burgim në Greqi ose deportim në vendin e origjinës, me shpenzimet e mbuluara nga shteti grek.

Për të përballuar fluksin e mundshëm të të ndaluarve, autoritetet greke janë duke përgatitur kampe të reja pritjeje në tokën kontinentale, të ndërtuara me kushte të ngjashme me institucionet ndëshkimore.

Në një deklaratë që ka bërë jehonë në mediat vendase dhe ndërkombëtare, Plevris e përmbylli:

“Ministria jonë e Emigracionit nuk është shërbim hotelerie. Jemi këtu për të mbrojtur Greqinë dhe kufijtë e Evropës.”/ZËRI

Poll

MOS HUMB