KOSOVË- Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, ka zhvilluar këtë të premte një vizitë zyrtare në Kosovë. Shefja e BE-së është pritur nga kryeminstri në detyrë Albin Kurti, me të cilin më pas zhvilluan një konferencë të përbashkët.
Gjatë konferencës, Kos u pyet për rrugën e Kosovës për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Lidhur me këtë, Kos theksoi se kjo varet nga përmbushja e reformave. Teksa përmendi detyrat që Kosova duhet të përmbushë, Kos tha se njëra prej tyre, është dialogu me Serbinë.
“Sigurisht që ka vend për Kosovën në Bashkimin Europian dhe në procesin e anëtarësimit. Zakonisht ne nuk punojmë me data, por në varësi të përparimit dhe mënyrës sa më të suksesshme të mundshme. Më pas do të jemi në gjendje të fillojmë negociatat e vërteta. Sa më e suksesshme do të jetë Kosova në zbatimin e reformave, sa më e suksesshme të jetë në dialogun Beograd-Prishtinë, më të mëdha janë shanset që të nisin negociatat. Negociatat e vërteta. Pra, kjo është pjesa politike”, tha fillimisht Kos.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti, deklaroi se vendi i tij po kërkon një proces të drejtë dhe të bazuar në meritë për integrimin në BE dhe jo 'rrugë të shkurtra'.
“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë, i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian, duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për BE për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90 për qind në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por kërkohet unitet në angazhim.
Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor. Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtarë, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara.", tha Kurti.
Kjo është vizita e parë e komisioneres Kos në Kosovë që kur mori detyrën e komisioneres për Zgjerim në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.
Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.
Gjatë vitit 2025, mungesa e vizitës së saj në Kosovë është arsyetuar nga zyrtarët evropianë me mungesën e institucioneve funksionale në vend, për shkak të krizës politike që e ka shoqëruar Kosovën gjatë muajve të fundit./ZËRI