KOSOVË-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja. Sipas saj përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura.
Vjosa Osmani: Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq.
Presidentja shprehet se bëhet fjalë për një çështje të qartë kushtetuese dhe jo për debat politik, pasi afati i paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit ka skaduar. Osmani tha se u detyrua ta marrë këtë vendim si pasojë e dështimit të Kuvendit për ta kryer detyrën e vet.
“Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të afatit të presidentit aktual. Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjedhë presidentin e ri dhe ky afat ka përfunduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi pra të bëjmë me një debat politik, por me një fakt të qartë kushtetues. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet themelore kushtetuese”, tha Osmani.
Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, procesi dështoi në Kuvend. Dy kandidatë ishin të propozuar për president, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe Fatmire Kollçaku, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje. Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit. Për ta filluar votimin për president, sipas ligjit, duhej të ishin të paktën 80 deputetë të pranishëm në seancë, por të pranishëm ishin vetëm 66.
Osmani përsëriti disa herë se është detyruar ta shpërndajë Parlamentin sepse këtë ia dikton Kushtetuta. Presidentja e Kosovës njoftoi se menjëherë do të thërrasë partitë politike për të nisur diskutimet mbi caktimin e datës së re për zgjedhjet./ZËRI