KOSOVË- Kosova zhvillon këtë të dielë zgjedhjet parlamentare pas dështimit të qeverisë nga "Vetëvendosja". Mbi 2 milionë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote do t'i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në vend këtë vit dhe të katërtat në total. Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe do të mbyllet me votimin e 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën në mëngjes ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Republikës së Kosovës.
Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Qendra votimi ka edhe jashtë Kosovës, ku votimi fizik organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të botës. Ndërkohë, KQZ ka njoftuar se për votimin me postë janë regjistruar mbi 77 mijë qytetarë.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë. Kurti u paraqit në qendrën e votimit rreth orës 09:40, ndërsa ka ftuar qytetarët që të dalin masivisht.
“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, i ftoj qytetarët ta përdorin këtë mundësi për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj që legjislatura e 10-të të konstituojë sa më shpejt Kuvendin e ardhshëm dhe njëkohësisht të formojë qeverinë e re. Shpresoj që pjesëmarrja do të jetë masive sepse reflekton cilësinë e zgjedhjes”, tha Kurti.
Ndërkohë më herët ka votuar edhe Kandidat i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime./ZËRI