KOSOVË- Haxhi Shala, ish-komandanti i UÇK-së, ëshë liruar nga Gjykata Speciale në Hagë ku po mbahej në paraburgim dhe ka mbërritur në Kosovë. Lajmi është bërë me dije nga djali i tij, Flakron Shala, i cili ka publikuar në rrejete sociale foto nga takimi mes tyre.
“Mirë se erdhe në atdhe, babë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë, periudhë e cila iu llogarit në periudhën e vuajtjes së dënimit. Ai u dënua me 3 vjet burgim në shkurt të vitit 2025, për frikësimin e një dëshmitari. Shala pati pranuar fajësinë. Këtë deklarim ai e bëri në kuadër të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku u pajtua edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet.
Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia. Sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, thuhet se pjesëtarë të grupit bënë vizita në shtëpinë e dëshmitarit dhe iu ofruan benefite në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij. Sipas Prokurorisë, vepra në grup u krye nën direktivën e Shalës.
Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar rasti gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre, në një total prej 180 vitesh. /ZËRI
