
BRITANI E MADHE-Parada e fitores së klubit të futbollit Liverpool u shndërrua në kaos të hënën në mbrëmje (26 maj) pasi një makinë përplasi tifozët që kishin dalë në qendër të qytetit, duke lënë gati 50 të plagosur, përfshirë fëmijë.
27 persona u dërguan në spital, dy prej të cilëve, përfshirë një fëmijë, pësuan lëndime të rënda. 20 persona të tjerë me lëndime të lehta u trajtuan në vendngjarje.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka reaguar me një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për qytetin. Në një deklaratë të lëshuar nga Downing Street, Starmer bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me Steve Rotheram, kryetarin e bashkisë së Rajonit të Qytetit të Liverpoolit, për të diskutuar “ngjarjen e tmerrshme” të së hënës.
“Të gjithë, veçanërisht fëmijët, duhet të jenë në gjendje të festojnë heronjtë e tyre pa këtë tmerr. Pamjet që vijnë nga Liverpool-i janë tronditëse. Jam pranë të plagosurve dhe të gjithë atyre të prekur nga kjo ngjarje. Dua të falënderoj policinë dhe ekipet e ndihmës për ndërhyrjen e menjëhershme në këtë ngjarje shokuese. Jam në kontakt me autoritetet dhe u kërkoj të gjithëve të lënë policinë dhe hetuesit të bëjnë punën e tyre”, deklaroi Starmer, duke iu referuar atmosferës festive që u kthye në një skenë paniku dhe frike.
Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, Liverpool FC tha: Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me policinë e Merseyside në lidhje me incidentin në Ëater Street që ndodhi drejt fundit të paradës së trofeve. Mendimet dhe lutjet tona janë me ata që janë prekur nga kjo ngjarje e rëndë. Ne do të vazhdojmë t'u ofrojmë mbështetjen tonë të plotë shërbimeve të emergjencës dhe autoriteteve lokale që po merren me këtë incident.
Ngjarja ndodhur teksa mijëra njerëz ishin mbledhur në rrugë për të festuar fitoren e Liverpoolit në Premier League. Autoritetet thanë se incidenti nuk po trajtohet si terrorizëm. Në pranga është vënë drejtuesi i automjetit, një 53-vjeçar britanik./ZËRI