GREQI- Klima në fshatin Vorizia, në Heraklion, është kthyer në arenë lufte, pasi një përplasje e dhunshme midis dy familjeve ka përfunduar tragjikisht me 3 të vdekur dhe mbi 10 të plagosur. Breshëri plumbash, panik dhe policia që mori në kontroll fshtatin...Gjithçka ndodhi për shkak të hakmarrjeje mes dy familjeve.
Mediat greke raportojnë se tensionet mes dy familjeve kanë qenë të pranishme prej një viti, dhe së fundmi ishte bërë një përpjekje për t’i zbutur ato përmes një pagëzimi që do të mbahej të shtunën pasdite në Kissous, një fshat pranë Vorizias. Njëra prej familjeve i kishte propozuar tjetrës që një prej anëtarëve të bëhej kumbar në këtë pagëzim, në përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet.
Megjithatë, ky rregullim duket se nuk funksionoi dhe sot ndodhi vrasja pasi, sipas të njëjtave informacione, marrësi i propozimit dyshohet se u përgjigj "merre dhuratën, nuk e di nëse do të jem gjallë".
Përplasja e përgjakshme
Masakra filloi të shtunën në mëngjes me një shkëmbim zjarri, i cili vazhdoi pasi mbërritën forcat policore që kishin rrethuar zonën. Megjithatë, tensioni duket se ka filluar, me shpërthimin e një pajisjeje shpërthyese të improvizuar mbrëmë, në një shtëpi në ndërtim e sipër që dyshohet se i përkiste njërës prej dy familjeve.
Sipas informacionit zyrtar, 3 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 10 të tjerë janë plagosur. Burri i vrarë dhe një grua e re nga e njëjta familje janë transportuar në Spitalin Venizelio të Heraklionit, por nuk mbijetuan, ndërsa viktima e dytë, një grua, dhe të paktën dy të plagosur të tjerë, përfshirë një fëmijë, u dërguan në spitalin Pagni.
Policia ka vendosur forca të shumta sigurie në të dy spitalet, për të shmangur ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Autoritetet përballen me një problematikë tjetër, frikës se hakmarrja mund të vazhdojë edhe në dyert e spitaleve. Forca të forta policore po veprojnë në fshat për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të kontrolluar situatën.