
ITALI- Papa Françesku zhvilloi një vizitë të shkurtër dhe të paparalajmëruar të shtunën në Bazilikën e Shën Pjetrit për t'u lutur para vigjiljes së Pashkëve të mbrëmjes dhe për të përshëndetur disa prej besimtarëve të pranishëm.
88-vjeçari, në një karrocë me rrota, mbërriti rreth orës 18:00, i shoqëruar nga infermierja e tij dhe qëndroi për rreth një çerek ore, duke u ndalur për t'u lutur në varrin e Shën Pjetrit.
Papa përshëndeti të pranishmit përpara se të kthehej në rezidencën e tij.
Vatikani konfirmoi se Papa Françesku "shkoi në Bazilikën e Shën Pjetrit për një kohë lutjeje, për të qenë pranë besimtarëve që do të kremtojnë Vigjiljen e Natës së Shenjtë të Pashkëve në orët e ardhshme".
Kjo është dalja më e fundit publike e Papës gjatë Javës së Shenjtë. Të enjten, ai u takua me rreth 70 të burgosur në një burg në Romë.
“Çdo vit më pëlqen të bëj atë që bëri Jezusi të Enjten e Madhe, larjen e këmbëve, në një burg”, u tha Papa të pranishmëve, sipas një deklarate nga Vatikani. "Këtë vit nuk mund ta bëj por doja të isha pranë jush. Unë lutem për ju dhe të gjitha familjet tuaja."
Papa u shfaq gjithashtu në një meshë në sheshin e Shën Pjetrit të Dielën e Palmave, duke përshëndetur mijërash njerëz të mbledhur për shërbimin.
Françesku ka mbetur kryesisht jashtë opinionit publik që nga lirimi i tij në mars nga spitali Gemelli i Romës, ku ai kishte kaluar më shumë se pesë javë pasi u diagnostikua me pneumoni dypalëshe.
Françesku ua delegoi dy kardinalëve rolin e tij në kryesimin e meshave të Pashkëve të kësaj fundjave, tha të mërkurën Zyra e Shtypit e Vatikanit.