
HARARE– Një djalë 8-vjeçar, i cili u zhduk nga shtëpia e tij në Kariba, u gjet i sigurt në Parkun me kafshë të egra në Matusadonha. Tinotenda Pudu u gjet në xhungël pranë lumit Hogwe, ndërsa rojet e parkut nuk po u besonin syve. Ai kishte përfunduar 23 km larg shtëpisë, në një zonë ku "bashkëjetojnë" luanët, elefantët dhe shumë kafshë të tjera të egra.
Sipas mediave vendase, Tonotenda, mbijetoi duke ngrënë një frut të egër të quajtur Tsvanzva në Tonga.
“Ai shkonte në bregun e thatë të lumit dhe përdorte duart dhe një shkop për të gërmuar një Mukàla dhe ashtu siguronte ujin e pijshëm. Pra djaloshi siguronte akses në ujin e pijshëm duke hapur “puse” të vegjël në shtretërit e lumenjve të thatë, një aftësi që mësohet gjerësisht në rajon për shkak të thatësirës së madhe,"-tha deputeti i zonës Mutsa Murombedzi.

Ndërsa ishte në xhungël, Tinotenda thuhet se dëgjoi një automjet dhe u përpoq të vraponte drejt zhurmës, por ishte tepër vonë. Por për fat kur rojet e parkut përdorën të njëjtën rrugë në kthimin e tyre, panë gjurmë të freskëta të këmbëve të djaloshit. Kështu vendosën që të kontrollonin në zonë dhe e gjetën.
"Ky ishte ndoshta shansi i tij i fundit për t'u shpëtuar pas 5 ditësh në shkretëtirë,"- tha Muombedzi.
Parku ku humbi i mituri ka një sipërfaqe totale prej 1,470 kilometra katrorë, e cila është shtëpia e zebrave, elefantëve, hipopotamëve, luanëve dhe antilopave. Ndaj konsiderohet si mrekulli, fakti që Pudu është gjallë./ZËRI