
SHBA- Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare. Carter, presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, vdiq sot në shtëpinë e tij në Plains, Georgia. Jimmy Carter ka lënë pas katër fëmijët e tij, James, Donnel, Amy dhe Jack, si dhe 22 nipër e mbesa dhe stërnipër. Lajmin për mediat e bëri me dije djali i tij, James E. Carter III, i njohur si Chip. Ai ishte 100 vjeç dhe hyri në histori si presidenti më jetëgjatë i Shteteve të Bashkuara.

Jimmy Carter hyri në politikë si guvernator, por u zgjodh president në 1976. Pas 5 viteve në detyrë, ai nuk u rizgjodh për një mandat të dytë, por zhvilloi një jetë të jashtëzakonshme dhe një aktivitet që i dhuroi atij një çmim Nobel për Paqen në vitin 2002 për dekadat e punës së tij duke kërkuar zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare. Carter ka qenë i përfshirë në iniciativa të shumta humanitare dhe paqeje, duke përfshirë punën e tij me "Qendrën Carter" në fusha si çrrënjosja e sëmundjeve, monitorimi i zgjedhjeve dhe zgjidhja e konflikteve.

Vdekja e Carter vjen më shumë se një vit pasi bashkëshortja e tij, Rosalynn Carter u nda nga jeta më 19 nëntor 2023, në moshën 96-vjeçare. Ish-zonja e parë u diagnostikua me demencë në fillim të vitit 2023. Para vdekjes së saj, Jimmy Carter i zbuloi një letër që i kishte dërguar të shoqes kur shërbente në Marinën Amerikanë. Letra e shkruar më shumë se 70 vjet më parë u lexua nga vajza e tyre, Amy.
"Për sa kohë që Rosalynn ishte në botë, unë gjithmonë e dija që dikush më donte dhe më mbështeste. E dashura ime, sa herë që kam qenë larg teje, kam qenë i emocionuar kur jam kthyer për të zbuluar se sa e mrekullueshme je. Ndërsa jam larg, përpiqem të bind veten se ti me të vërtetë nuk je, nuk mund të jesh aq e ëmbël dhe e bukur sa më kujtohet. Por kur të shoh ty, bie në dashuri me ty përsëri. A të duket e çuditshme kjo? Mua jo. Lamtumirë e dashur, Jimmy."
Carter shërbeu në Shtëpinë e Bardhë nga 1977 deri në 1981. Para presidencës së tij, ai shërbeu si Senator i Shtetit të Xhorxhias nga 1963 deri në 1967 dhe si guvernatori i 76-të i Xhorxhias nga 1971 deri në 1975. Carter, i cili mori detyrë në janar të vitit 1977, mori përsipër një komb që ishte ende i tronditur nga ngjarjet e Luftës së Vietnamit, ku rreth 59,000 trupa amerikane vdiqën në vijën e frontit.

Dy ditë pasi u betua si president, Carter fali të gjithë ata që iu shmangën luftës. Por, presidenca e tij u dëmtua nga rritja e kostove të energjisë, rritja e inflacionit dhe tensionet e vazhdueshme me kundërshtarët e huaj, duke përfshirë kërcënimin e luftës bërthamore me Bashkimin Sovjetik. Shpresat e Carter për rizgjedhje përfundimisht u shkatërruan për shkak të krizës së pengjeve në Iran.

Më 4 nëntor 1979, një grup studentësh të kolegjit iranianë të militarizuar sulmuan Ambasadën e SHBA në Teheran dhe morën peng 52 diplomatë dhe qytetarë amerikanë. Publiku amerikan u kthye kundër Carter për qasjen e tij të butë ndaj krizës, e cila zgjati 444 ditë. Kriza e pengjeve paralizoi presidencën e tij dhe pengoi përpjekjet e tij në një mandat të dytë.
Carter përfundimisht do të humbiste zgjedhjet presidenciale të vitit 1980 në një rezultat dërrmues ndaj kandidatit presidencial republikan Ronald Reagan.

JETA PAS SHTËPISË TË BARDHË
Pas largimit nga Zyra Ovale, Carter ia kushtoi jetën diplomacisë dhe punës për të drejtat e njeriut .Ai themeloi "Qendrën Carter" në 1982, një organizatë me një angazhim themelor për të drejtat e njeriut dhe lehtësimin e vuajtjeve njerëzore, sipas faqes së tyre të internetit. Organizata jofitimprurëse ka punuar për të përmirësuar cilësinë e jetës për njerëzit në vende në të gjithë botën.

Në vitin 2002, Jimmy Carter fitoi Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij që kërkon zgjidhje paqësore për konfliktet globale, avancimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe promovimin e zhvillimit ekonomik dhe social. Carter ishte tërhequr kryesisht nga sytë e publikut në vitet e fundit, veçanërisht në vazhdën e pandemisë Covid-19 dhe një sfidë që kaloi me kancerin në vitin 2015. Carter kritikoi administratën Trump, por gjithashtu nuk u pajtua me presidentin e tij demokrat, Barack Obama , në lidhje me përdorimin e sulmeve me dron kundër terroristëve.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, Carter doli në krah të Joe Biden në Konventën Kombëtare Demokratike duke u shprehur për të kështu: Joe Biden ishte mbështetësi im i parë dhe më efektiv në Senat… Për dekada, ai ka qenë miku im besnik dhe i përkushtuar.
Për të shënuar 100 ditët e tij të para në detyrë, Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden vizituan Jimmy dhe Rosalynn Carter në shtëpinë e tyre në Plains, Georgia./ZËRI