GREQI- Një sasi prej rreth 100 kilogramësh kokainë është sekuestruar në aeroportin e Athinës. Sipas mediave greke, droga u zbulua e fshehur mes një ngarkese me trëndafila të freskët të ardhur nga Kolumbia.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës nga autoritetet greke në bashkëpunim me agjentët amerikanë të DEA-s. Në përfundim të aksionit u arrestuan gjashtë persona, ndërsa sipas të dhënave paraprake, mes tyre dyshohet se ndodhen edhe shtetas shqiptarë.
Ngarkesa me lule dyshohet se ishte përdorur përkamuflazh për transportimin e narkotikëve dhe futjen e tyre në territorin grek pa u diktuar nga kontrollet. Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të zbardhur mënyrën se si është organizuar transporti, destinacionin e drogës dhe personat që qëndrojnë pas tij.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë rrjet. Policia greke dhe DEA vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë anëtarët e dyshuar të grupit dhe rolin që secili prej tyre ka pasur në transportimin dhe shpërndarjen e kokainës./ZËRI