
ITALI- Papa Françesku është ndarë nga jeta sot në moshën 88-vjeçare, një ditë pasi kremtoi Pashkën. Vatikani njoftoi se Ati i Shenjtë ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së sotme pas problemeve shëndetësore.
Papa ndodhej në Romë, në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pas shtrimit në spitalin Gemelli. Dje, të dielën e Pashkëve, ai kishte dashur të merrte pjesë në kremtimet e meshës dhe ishte shfaqur në lozhën e Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi.
"Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Papa Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, Peshkopi i Romës, Françesku, është kthyer në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, në mënyrë të veçantë në shërbim të më të varfërve dhe të përjashtuarve. Me një mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si një dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ia besojmë shpirtin e Papës Françesku dashurisë së pafund dhe mëshirës së Zotit të vetmit dhe të Trinisë së Shenjtë", njoftoi Kardinali Farrell.
Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papë më 13 mars 2013, duke befasuar shumë nga vëzhguesit e Kishës, të cilët e shihnin këtë klerik argjentinas – i njohur për përkushtimin ndaj të varfërve – si një figurë të jashtme dhe jo tradicionale./ZËRI