Bota

Njihuni me Zara Rahim! Nga praktikane e Obamës, tek ideatorja e fushatës fituese së Mamdanit në Nju Jork

Në vitin 2016, ajo iu bashkua fushatës presidenciale të Hillary Clinton dhe më pas kaloi në botën e modës, si Drejtoreshë e Komunikimit në revistën “Vogue” nga viti 2017 deri në 2018.

F.I
Njihuni me Zara Rahim! Nga praktikane e Obamës, tek ideatorja e
Zara Rahim

SHBA- Zohran Mamdani u zgjodh kryetar bashkie i qytetit të New York-ut. 34-vjeçari, i cili e përshkruan veten si "makthi më i keq i Trump", fitoi 60.2 përqind të votave. Por kush fshihet pas fitores së tij?

Pas fitores historike të 34-vjeçarit që do të betohet në janar si kryebashkiak qëndronte një mendje strategjike: Zara Rahim, eksperte komunikimi që prej më shumë se një dekade vepron në ndërthurjen mes politikës, kulturës dhe strategjisë digjitale.

Rahim i kërkoi Mamdanit të “harronte Nju Jorkun e krijuar nga strategët politikë” dhe në vend të kësaj “të bënte një fushatë rreth Qytetit të Nju Jorkut aktual”. Kjo direktivë u bë themeli për një fitore bazë që mobilizoi më shumë se 90,000 vullnetarë dhe votues të angazhuar.

Karriera

35-vjeçarja, me origjinë nga një familje bangladesho-amerikane dhe e rritur në Floridën e Jugut, ka një profil të pazakontë për një stratege politike. Ajo nisi karrierën e saj si praktikante në fushatën e rizgjedhjes së Barack Obamës në vitin 2012, ku u promovua shpejt si Drejtoreshë e Përmbajtjes Digjitale për Floridën. Aty ajo mësoi si të përdorte fuqinë e rrjeteve sociale për të ndërgjegjësuar votuesit.

Pas kësaj përvoje, Rahim punoi në Zyrën e Strategjisë Digjitale të Shtëpisë së Bardhë, më pas në Uber, ku ndihmoi në hartimin e legjislacionit për shërbimet e transportit të përbashkët. Në vitin 2016, ajo iu bashkua fushatës presidenciale të Hillary Clinton dhe më pas kaloi në botën e modës, si Drejtoreshë e Komunikimit në revistën “Vogue” nga viti 2017 deri në 2018.

Në atë periudhë, ajo bashkëpunoi me emra të njohur nga moda, arti dhe politika, duke përpunuar aftësi që më vonë do të ishin vendimtare për të ndërtuar imazhin publik të Mamdanit. Kohët e fundit, Rahim ka punuar si konsulente e pavarur komunikimi, me klientë të njohur si A24, Mariah Carey dhe Netflix.

Strategji për Mamdanin

Rahim ndërtoi një strategji që bazohej në autenticitet dhe kontakt të drejtpërdrejtë me komunitetet, veçanërisht ato që zakonisht anashkalohen nga fushatat tradicionale. Ajo kuptoi se prania e fuqishme në rrjetet sociale nuk mjaftonte, nëse nuk mbështetej nga përfshirja reale në terren. Kishte një "orar intensiv" në të cilin videot në TikTok dhe Instagram xhiroheshin midis ngjarjeve ballë për ballë, gjatë të cilave kryetari i zgjedhur i bashkisë do të fliste në gjuhë si spanjishtja dhe hindi për t'iu drejtuar njerëzve të klasës punëtore. 

Strategjia e Rahim përfshinte edhe mënyrën e reagimit ndaj sulmeve politike. Kur Andrew Cuomo bëri komente që u cilësuan si islamofobike nga mbështetësit e Mamdanit, Rahim reagoi menjëherë, duke e dënuar publikisht retorikën e tij.

“Ai po përpiqet të tërheqë votuesit myslimanë vetëm duke thënë shikoni këtë myslimanin e keq, është një taktikë e dëshpëruar e një njeriu që nuk ka asgjë për t’u thënë myslimanëve”, deklaroi ajo për CNN.

Rahim punoi përkrah figurave të tjera kyçe të fushatës, përfshirë Maya Handa, Tascha Van Auken dhe Faiza Ali , të cilat luajtën të gjitha role vendimtare në fitore. Van Auken, drejtoi një operacion masiv vullnetarësh që trokiti në 1.6 milion dyer vetëm gjatë primareve, duke realizuar 247 mijë biseda me votuesit. Në zgjedhjet e përgjithshme, rrjeti i vullnetarëve u zgjerua në mbi 90 mijë persona. 

Fushata kombinoi organizimin e modës së vjetër me të njëjtin viralitet dixhital që mishëroi karrierën e hershme politike të Obamës. Videot e Mamdanit mblodhën dhjetëra miliona shikime në internet. Pas fitores së Mamdanit më 4 nëntor, ai njoftoi një ekip tranzicioni tërësisht të përbërë nga femra që përfshinte Rahimin së bashku me ish-kryetaren e Komisionit Federal të Tregtisë, Lina Khan , ish-nënkryetaren e bashkisë Maria Torres-Springer , presidenten e United Way , Grace Bonilla dhe ish-nënkryetaren e bashkisë Melanie Hartzog . Ekipi do të udhëheqë administratën ndërsa Mamdani përgatitet të marrë detyrën më 1 janar 2026./Përkthyer nga Fortune

Poll

MOS HUMB