Bota

"Nuk jam kriminel", Krasniqi: Jemi burgosur padrejtësisht! Për 5 vite më janë mohuar të drejtat e njeriut!

Para trupit gjykues, Jakup Krasniqi tha se sot qëndron para tyre jo si një kriminel siç e përshkruan akuza, por si një njeri që ka luftuar për dinjitet njerëzor.

zh.ll
"Nuk jam kriminel", Krasniqi: Jemi burgosur padrejtësisht!
Jakup Krasniqi

HAGË- Fjalën e fundit para togave zeza të Hagës e kishte ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Para trupit gjykues, Jakup Krasniqi tha se sot qëndron para tyre jo si një kriminel siç e përshkruan akuza, por si një njeri që ka luftuar për dinjitet njerëzor.

Ai tha se për më shumë se pesë vjet, i është mohuar e drejta e njeriut, duke theksuar ndër më të rëndësishmën, atë për të jetuar në liri. Në fjalën e tij, Krasniqi theksoi se aktakuza e prokurorisë është ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra brenda një dekade.

“Përshëndes gjithë qytetarët e Kosovës që dje festuan pavarësinë e tyre. Qytetarët që jetojnë në liri, në pavarësi dhe me drejtësi. Qëndroj sot këtu para jush të nderuar qytetarë, jo si një kriminel që e përshkruan aktakuza e Serbisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor. Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë dhe sipas mendimit tim të panevojshëm, vij këtu për të treguar angazhimin tim politik e njerëzor për liri, që e kam filluar që herët. Dhe për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të perskeutimit dhe regjimit serb që sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë të popullit të Kosovës.

Më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri. E drejta për një njeri në fazat e fundit të jetës së tij, për të jetuar vitet e fundit pranë familjes dhe në liri. Kjo është bërë pa i rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi. Kam rrezikuar jetën time jo vetëm në luftën çlirimtare, por në vitet ’72-‘73 së bashku me familjen time, me bashkëkombësit e mi. Me besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova sërish. Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit. Vetëm se luftova për liri, pavarësinë e popullit tim. Thashë viti i 16-të, sepse 11 vite i kam kaluar në burg nga viti ’81-’91. Të kalosh 16 vite të jetës nga 75 në burg nuk është gjë e vogël. Dalja ime tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë.

Një njeri nuk zgjedh lehtë rezistencën. E zgjedh atë kur e drejta e tjetrit mbi dinjitetin është e ndaluar. Më mohua e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur si i lirë, e drejta për ta dashur hapur vendin tim, apo për ta përçuar atë që kam mësuar prej dekadash jetë edhe sakrificash. Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Akuzat e prokurorisë janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra brenda një dekade të vetme. E gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve në Kosovë. NATO nuk është bashkuar kurrë me terrorizmin dhe gjenocidin. Pa atë mbështetje, liria jonë nuk do të ekzistonte. Por pa rezistencën tonë, nuk do të ishte arritur kurrë”, tha Krasniqi./ZËRI

Poll

MOS HUMB