Bota

Për 35 euro/ 100 persona në ditë aplikojnë për ndryshim gjinie në Gjermani, ligji i ri “trazon” vendin

Sipas legjislacionit të ri, një qytetar mund të regjistrojë teorikisht një gjini të ndryshme dhe një emër të ri çdo 12 muaj.

I.F
Për 35 euro/ 100 persona në ditë aplikojnë për ndryshim
FOTO ILUSTRUESE

BERLIN- Rreth 100 persona në ditë në Gjermani kanë njoftuar autoritetet përkatëse për dëshirën e tyre për të ndryshuar gjininë dhe emrin e tyre të regjistruar administrativisht që nga 1 nëntori, kur hyri në fuqi Akti i Vetëvendosjes (SBGG). Por, tashmë shtetit i kërkohet të merret me “boshllëqet” që krijohen në çështjet e drejtësisë.

Sipas legjislacionit të ri, një qytetar mund të regjistrojë teorikisht një gjini të ndryshme dhe një emër të ri çdo 12 muaj. Madje, gazeta BILD raporton dëshminë e 28-vjeçarit Casper, i cili dëshiron të regjistrohet si grua, ka dorëzuar kërkesën përkatëse në zyrën e gjendjes civile në Hamburg më 11 nëntor.

“Nuk kishte asnjë informacion paraprak mjekësor, asnjë këshillë. Plotësova gjashtë formularë, tregova certifikatën e lindjes dhe kaq”, tregon Casper. Takimi i tij është caktuar për datën 13 shkurt për të marrë letërnjoftimin e ri, me emrin “Klara”. U deshën vetëm dhjetë minuta dhe 35.50 euro, për vërtetimin dhe lëshimin e një certifikate të re lindjeje. Megjithatë, gjëja interesante është se 28-vjeçari shprehet se nuk dëshiron të qëndrojë gjatë grua, por synon të bëjë një aplikim të ri dhe të bëhet burrë dhe të kthejë identitetin “Casper” sërish kur të kalojnë 12 muaj. Casper u shpreh se dëshiron të testojë procesin.

Sipas BILD, nga 1 nëntori deri në fund të vitit më shumë se 4361 persona kishin paraqitur aplikimet përkatëse duke përdorur legjislacionin e ri. Shumica e aplikimeve u dorëzuan në Berlin, pasuar nga Leipzig, Këln, Dusseldorf, Dresden dhe Bremen. Tashmë, megjithatë, disa po përpiqen të përfitojnë nga mundësia që u jep ligji për të mos u ndëshkuar nga gjykatat. Sven Liebich, i njohur për aktivitetin e tij neo-nazist në dekadën e fundit në Saksoni -Anhalt, u dënua gushtin e kaluar me 18 muaj burg pa lirim me kusht, për nxitje të urrejtjes dhe shpifjes.

Si pjesë e procesit të apelimit, ai kërkoi një afat të ri për të paraqitur një kërkesë për ndryshim gjinie dhe emri në një komunë në Saksoni, e cila e pranoi atë. Në paraqitjen e tij të re në gjykatë, Sven Liebich tani ishte Marla-Svenja Liebich dhe tha se kishte frikë nga diskriminimi në burgje. Siç raporton Mitteldeutsche Zeitung, tani po ngrihen pyetje për burgun në të cilin do të dërgohen të akuzuarit nëse vendimi bëhet i formës së prerë. Një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik në Halle tha se "nuk ka asnjë mekanizëm automatik për transferimin e një burri në një burg për gratë sepse ai ka ndryshuar gjininë dhe emrin e tij" dhe çështja duhet të shqyrtohet individualisht. Megjithatë, ai sqaroi se procesverbali administrativ është i një rëndësie dytësore, pasi personi fizik, i cili ka kryer krimet, mbetet i njëjtë dhe në çdo rast duhet të vuajë dënimin. /ZËRI

Poll

MOS HUMB