
ITALI- Riatdhesimi i kryekomandantit libian ka dërguar nën hetim kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Lajmin e ka bërë me dije vetë kryeministrja italiane duke ndarë një video për qytetarët. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Meloni është nën hetim për çështjen e Njeim Osama Elmasry, i njohur si Almasri. Ky i fundit ka mbajtur postin e kreut të Policisë Gjyqësore Libinare, por u arrestua në Torino me një urdhër-arrest të prerë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Edhe pse u arrestua, ai u lirua dhe u riatdhesua në Libi, lajm që e dha vetë Meloni.
"Krimet" që pretendohet se ka kryer Meloni, janë ndihmë ndaj një të arrestuari dhe "përvetësim". E megjithatë nuk ështrë e vetmja nën hetim. E njëjta shkresë i është dërguar edhe nënsekretarit të Kryeministrisë, Alfredo Mantovano; ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi dhe ministrit të Drejtësisë, Carlo Nordio.
“Lajmi i sotëm është ky: prokurori publik Francesco Lo Voi, i njëjti person i përfshirë në gjyqin e dështuar ndaj Matteo Salvinit për rrëmbim, sapo më ka dërguar një "njoftim garancie" (akti me të cilin prokurori informon të dyshuarin për akuzën e përkohshme) në lidhje me çështjen e riatdhesimit të Almasrit. Një njoftim akuze i është bërë edhe ministrit Carlo Nordio, Matteo Piantedosi dhe Alfredo Mantovano supozoj pas një ankesë që është bërë nga avokati Luigi Ligotti, ish politikan i majtë, shumë i afërt me Romano Prodin. Të gjithë e njihni këtë të fundit për mbrojtjen e të penduarve të kalibrit të Buscetta-s, Brusca-s dhe mafiozëve të tjerë."
Sipas disa hetimeve të pavarura gazetareske, Almasri është një nga drejtuesit e sistemit të trafikut të emigrantëve në Mesdhe, por ndryshe nga të gjithë kontrabandistët që Meloni kishte premtuar se do t'i ndiqte në të gjithë globin, atë e liroi. Por vetë Meloni e ka një sqarim.
“Faktet janë mjaft të njohura: Gjykata Ndërkombëtare Penale, pas muajsh reflektimi, lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar kundër kreut të Policisë Gjyqësore të Tripolit. Çuditërisht, Gjykata e bëri këtë pikërisht kur ky person do të hynte në territorin italian pasi kishte qëndruar paqësisht për rreth 12 ditë në 3 shtete të tjera evropiane. Kërkesa për arrest nga Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare Penale nuk i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë italiane, siç e kërkon ligji dhe për këtë arsye Gjykata e Apelit të Romës vendosi të mos vijojë me vleftësimin e kërkesës për arrest. Në këtë pikë, në vend që ta linim të lirë në territorin italian, vendosëm që ta dëbojmë dhe ta riatdhesojmë menjëherë me një fluturim special, siç ndodh në raste të tjera të ngjashme. Kjo është arsyeja pse Prokuroria e Romës po heton sot mua, nënsekretarin Mantovano dhe dy ministrat. Ajo që ishte e vlefshme dje, vlen edhe sot: Unë nuk jam e shantazhueshme, nuk jam e frikësuar. Do të vazhdoj rrugën time në mbrojtje të italianëve, veçanërisht kur siguria e kombit është në rrezik,”-tha Meloni ndër të tjera në videon e saj.
Por jush është Almasri dhe çfarë akuzash ka ngritur Gjykata Ndërkombëtare Penale për të?
Gjykata Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë, Holandë, është gjykata më e madhe në botë për krimet e luftës dhe krimet ndërkombëtare. Almasri është dënuar si i përfshirë drejtpërdrejt në abuzime sistematike, veçanërisht kundër të burgosurve të akuzuar për krime fetare, ateizëm, krishterim ose homoseksualizëm. Ai u pagëzua edhe si “torturuesi i Mitigës”, pra sipas burgut që drejtonte. Ai është pjesë e një grupi ushtarak islamik të quajtur Rada dhe ka menaxhuar Institutin për Reformën dhe Rehabilitimin e policisë gjyqësore të Tripolit që nga viti 2021. Mandati për arrestimin e tij u lëshua më 18 janar./ZËRI