ZVICËR- Zjarri që përfshiu lokalin “Le Constellation” në Zvicër ku dhjetra persona mbetën të vrarë dhe rreth 100 prej tyre janë plagosur ka shkaktuar panik dhe pasoja serioze për personat që ndodheshin brenda. Një dëshmitar okular ka rrëfyer për BBC momentet dramatike të ngjarjes dhe përpjekjet e tij për të ndihmuar të bllokuarit.
Sipas dëshmitarit, gjithçka nisi me një shpërthim të fortë, i ndjekur menjëherë nga tym i dendur që mbushi ambientin e brendshëm të lokalit. I shqetësuar se vëllai i tij i vogël mund të ishte brenda lokalit, ai ka mbërritur në vendngjarje, ku u përpoq të thyente dritaret për të krijuar një rrugë shpëtimi për të gjithë njerëzit. Ai thotë se gjithçka ndodhi shumë shpejt.
“Kur mbërrita, pashë persona të lënduar dhe të tronditur. Situata ishte kaotike dhe gjithçka ndodhi shumë shpejt. Është edhe më e dhimbshme, sepse ky ishte një bar ku shkoja pothuajse çdo ditë. Pikërisht ditën që nuk shkova, ndodhi kjo tragjedi”, - ka përfunduar dëshmitari për BBC.
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të zjarrit.
Çfarë dihet për barin “Le Constellation”?
Le Constellation është një bar i madh në resortin e skive Crans-Montana dhe funksionon prej shumë vitesh. Megjithëse vetë resorti konsiderohet mjaft luksoz, bari nuk ishte veçanërisht elitë. Në katin e sipërm kishte ekrane televizive ku klientët ndiqnin ndeshje futbolli, ndërsa në katin e poshtëm ndodhej një bar i madh ku njerëzit pinin dhe kërcenin.
Ambienti kishte kapacitet deri në 300 persona, por ende nuk dihet saktësisht sa persona ndodheshin aty në momentin e zjarrit. Festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri janë ndër periudhat më të ngarkuara për resortet alpine dhe besohet se lokali ishte plot me banorë vendas dhe turistë që festonin ardhjen e vitit 2026./ZËRI